Aksidenti i rëndë që ndodhi mëngjesin e së dielës në autostradën Bregana-Lipovac afër Slavonski Brod në Kroaci, u mori jetën dhjetë personave të cilët po udhëtonin me autobus nga Gjermania për në Kosovë.
Media mëson nga burimet e saj se në mesin e viktimave është edhe 18-vjeçarja A.Bellanica nga Krusha e Madhe e cila kishte marrë rrugën nga Austria për në Kosovë.
Familjarët e saj, gjatë gjithë ditës po e kërkonin nëpër spitale të Kroacisë 18-vjeçaren, pasi që nuk e dinin se çfarë ka ndodhur me fatin e saj.
Djali i axhës së viktimës, B.Bellanica, ka thënë për televizionin publik se e kanë kërkuar në spital në Zagreb, por që iu kanë thënë se nuk kanë pasur pacient me këtë emër.
Ai bën të ditur se babai i saj është nisur nga Austria për ta kërkuar në Kroaci e edhe daja i saj është nisur nga Kosova pikërisht për të njëjtën arsye, për të marrë informacione lidhur me atë se çfarë i ka ndodhur 18-vjeçares.
Përveç saj, deri më tani janë identifikuar edhe dy viktima, nënë e bijë nga Gjakova, të cilat gjetën vdekjen në aksidentin e rëndë që ndodhi në Kroaci.
Media po ashtu mëson se vajza është e moshës madhore, mbi 18 vjeç.
Identiteti i tri viktimave të lartpërmendura që humbën jetën në aksidentin tragjik është i njohur por për shkak të ndjeshmërisë së rastit, Gazeta ka vendosur që të mos i publikojë.
Autobusi me targa nga Kosova ishte nisur nga Gjermania për në Kosovë, por u aksidentua në Kroaci, ku mbetën të vdekur 10 persona, 44 të lënduar dhe 15 prej këtyre janë në gjendje më të rëndë shëndetësore.