Flasin nga Vetëvendosje: Ja kur do të zyrtarizohen kandidatët për kryetarë të komunave

Aktuale

Flasin nga Vetëvendosje: Ja kur do të zyrtarizohen kandidatët për kryetarë të komunave

Më: 26 korrik 2021 Në ora: 23:46
Foto ilustrim

Deputeti i VV-së, Artan Abrashi ka thënë në emisionin dPt te Fidani se subjekti të cilit i takon do t’i ketë emrat për kandidatë të komunave deri më 15 gusht.

Ai thotë se procesi i zgjedhjeve të brendshme nëpër pika ka qenë i drejtë dhe demokratik teksa ka thënë se numri i madh i të anëtarësuarve gjatë këtij viti ka rritur interesimin për kandidatë të komunave.

“Është kërkuar që të jetë numër sa më i madh i mundshëm i kandidatëve që procesi të jetë demokratik. Mirëpo edhe për këto pozita ka kritere”, thotë ai.

VV është subjekti i vetëm që nuk ka zyrtarizuar asnjë kandidaturë për kryetarë të komunave. Zgjedhjet lokale do të mbahen më 17 tetor të këtij viti.

Para katër viteve, kur u mbajtën zgjedhjet e fundit lokale, VV fitoi në tri komuna por që humbi pastaj dy prej tyre pasi kryetarë e komunave të Prishtinës dhe Kamenicës kaluan në PSD.

Në nëntor të vitit të kaluar Shpejtim Bulliqi i VV-së fitoi zgjedhjet e parakohshme në komunën e Besianës. Po ashtu, kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, aderoi në VV para zgjedhjeve të vitit 2019 dhe kështu VV përsëri drejton tri komuna në Kosovë. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat