Profesori universitar, Enver Bytyçi, ka reaguar pas Forumit Ekonomik të mbajtur sot në Shkup, ku Rama, Vuçiq e Zaev diskutuan për Minishengenin dhe i ndryshuan emrin.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se sot në Shkup u bë tentativa e katërt për krijimin e Jugosllavisë së re nën sundimin e Serbisë, përcjell Bota sot.
Ai ka veçuar dy gjëra nga ky forum. Fillimisht deklaratën e Vuçiq se në fillim ishin takuar si armiq me Ramën dhe e kishin bërë takimin për konsum të brendshëm, gjë të cilën profesori e kishte konstatuar pas këtij takimi.
Dhe gjëja tjetër sipas Bytyçit, është deklarata e Ramës se Evropa është një Jugosllavi e madhe, ndërsa minishengeni është një Jugosllavi e vogël, duke treguar kështu qartë synimin e krijimit të një Jogusllavie, për të cilën Bytyçi thotë se do të dalë guxhë për shqiptarët.
Postimi i tij i plotë në Facebook:
Sot në Shkup u bë tentativa e katërt për krijimin e Jugosllavisë së re nën sundimin e Serbisë. Ka shumë detaje ku fle djalli. Por po veçoj vetëm dy:
Aleksandër Vuçiq tha se në vitin 2015 (në fakt ishte tetori e nëntori i 2014-ës) ne u takuam me Edin si armiq. Duke e theksuar këtë, presidenti i Serbisë tha se atëherë e bëmë këtë për konsum të brendshëm. D.m.th për të fituar kapital politik Edi te shqiptarët dhe Vuçiqi te serbët.
Këtë konstatim e kam theksuar një ditë pas takimit Rama-Vuçiq në Beograd në fund të nëntorit 2014. Madje kam thënë se të dy janë dakorduar që të reagojnë në atë mënyrë, sepse në fillim u duhej të rrisnin prestigjin, për të realizuar plane të tjera kundër Kosovës!
Edi Rama tha se Evropa është një Jugosllavi e madhe, ndërsa minishengeni është një Jugosllavi e vogël. Edhe ky pranoi se deri tani e në vazhdim me minishengenin synon krijimin e një Jugosllavie, që në fillim i duket e vogël, por që shqiptarëve do t'u dali guxhë, siç thotë i madhi Cun Lajçi!