Profesori universitar i Filozofisë Blerim Latifi, ka thënë se humanizmi i shtetit të Kroacisë, i treguar me rastin e aksidentit të mërgimtarëve të Kosovës, përmban një mesazh të fortë politik.
Ai ka thënë se Kroacia po dëshiron lidhje më të fuqishme me Kosovën, për t’i frenuar ambiciet e Serbisë për “botën serbe”.
Por, Latifi është shprehur skeptik se Kosova do t’i përgjigjet mençur këtij mesazhi kroat, përcjell Bota sot.
Reagimi i Latifit në Facebook:
Ai që u quajt "humanizmi kroat" në rastin e aksidentit ku humbën jetën dhjetë qytetarë të Kosovës dhe angazhimi personal i kryeministrit kroat në këtë rast, në thelbin e tyre përmbajnë një mesazh të fortë politik: Kroacia po kërkon lidhje më të fuqishme me Kosovën, lidhje që shkojnë përtej marrëdhënieve formale ndërshtetërore dhe që për bazë e kanë përvojën e hidhur historike të vendeve ne Serbinë dhe krijimin e aleancave joformale rajonale për t'i frenuar ambiciet e ringjallura të Serbisë për të qenë shteti më i rëndësishëm i rajonit, ambicie të kamufluara në idenë e re të Beogradit për krijimin e "botës serbe".
A e kemi ne mençurinë e duhur t'i përgjigjemi këtij mesazhi kroat? Vështirë të thuhet, kur e shohim mjerimin e përgjithshëm në të cilin ndodhet mendimi ynë gjeostrategjik.