Aktori dhe shkrimtari Çun Lajçi ka “shpërthyer” në rrjetin social Facebook, me fjalë për “dinastinë” siç e quan ai, të atyre që i humben postet publike.
Lajçi i quan mashtrues dhe të pabesë këtë “dinasti” derisa shton se, janë edhe të mashtruar mbas feve.
Ai këto akuza i bëri pasi që, “dinastia” në fjalë po kritikon Qeverinë Kurti, ndërsa, shton se disa persona edhe po mundohen t’ia luhatin bindjen e tij.
Lajçi tash e sa kohë e mbështetë frymën e re që ka ardhë në pushtet, derisa ka kritikuar ashpër komandantët dhe qeveritë e kaluara.
Postimi i plotë:
Po thonë se jeni kundër vetvetes!
Cila asht e vërteta që mund t’ma luhatë bindjen, n’ket gusht të ngushtuem zjarresh që nga Antalia e deri n'ishujt grek! Edhe nji zjarrmi (dorë njeriu) n’Bjeshkët e Nemuna t’Rugovës!
Këta janë ata që deshten edhe qiellin me rrokullisë, edhe kokat e veta! Gjithçka që futej nga Serbia e përmbytën buzës Llapit, sepse këta po thonë ishin, e janë kundër gjithçkafit. Edhe kundër Zotit që i ka krijua.
Mua m’vjen randë, normalisht. E hetoj se diçka e mbështjellune me letra ari asht kundërshtimi i kësaj “dinastie”, që i humben postet e pushtetin!
T’pa besë! Mashtrues, e t’mashtruem mbas feve. Të cullakuem e të mbuluem fytyrash. Lumej që rrjedhin mashtrime e rrena e s’dinë me trasua shtratin e vet!
Po thonë, sa herë iu thua po, ata të thonë jo! Sa herë iu thua jo, ata t’përgjigjën me po!
Daja im po thot, ai i Balidemajve që pin venë t’kuqe n’Amerikën e Vashingtonit, e shkronjat i ngatërrohen me inglizçe. Bile edhe mendimet i bahen lamësh.
Kur ra dinastia e Komandantëve, Albini vetëm i buzëqeshi norveges së vet norvegjisht e heshti!
Dhe s'pushojnë krahasimet e poshtërsitë. Ato shkojnë deri ku s’ta rrokë kalemi. Edhe rrajët ua gjejnë grave t’atyne që pasuen para tij. Hasanit e Zogut. Ismajlit s’di a ia gjetën. Sinan Hasanit e Ali Shukrisë. Veç Nolit nuk mujten, se ishte prift!
Kush po i ndalë me e rrëxua vendimin e Çakorrit n’Parlament?
Kush po i pengon me burgos Murat Mehen me antarët e komisionit, që e zhvendosen kufinin, me kërkesën e Hashimit e t’Isës? A thojshin se me ardhjen tonë n’pushtet do t’i burgosim shitësit e atdheut? Pse s’i burgosen? Pse bllokave që i thejshin n’Merdare, tash ua hoqen taksën?
S’po t’han palla as ty si Fishtes, marres se Kelmendit, që nuk shkroi për Avro Cemin e kurrë s’e përmendi masakren e Previsë.
Nejse, po t’fali ty e Fishtën sepse as Rexhepi i Vuthajve nuk shkroi. Edhe ai u mashtrua mbas karrikave!
Dajë t’kam, i thashë, veç rrudhe gojën e Fishtës mos mi thuej “marrja e Kelmendit” se kerset dajaku bash si n’karadak!
O Çun, VV-ja, janë t’pa pjekun mendimesh e veprimesh! Janë si Sulltanat që ia prejshin kryet njeni tjetrit për me ia marrë postin! Si Bajaziti që ia hoq kryet vllaut, Jakubit, me marrë pushtetin n’Gazimestan. Hajna ata e hajna këta!?
Bye Xheki!?
Sabri e ka selametin m'thot. Ndëgjoje Azem Vllasin, dhandrrin e boshnjakve që punoi me Titen, çka po thotë: "Serbia dajma e ka pasë "cilin"…”! Por për cilin “cil” s’po kallxon, se po i tutet Nadires … hahaha!?
Unë mbetëm si ujku n’mjegull tue i thanë vetës: Pse duen t’ma lekundin bindjen për nji gjeneratë t’re që na udhëheqë, me trillime e t’pa vërteta?
Pse gjithë kjo smirë e ky inat i shqiptarit kur e humbë postin, them, e mbasi kollitem shtrihem me fjetë.