Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, është përgjigjur në mënyrë të pazakontë për një politikan kur është pyetur se si dëshiron të mbahet mend si kryetar i kryeqytetit për tetë vjet qeverisje.
Ahmeti, në rrëfimin e tij ka thënë se nuk dëshiron të mbahet mend.
S’ka nevojë të mbahem mend, ka thënë ai.
“Ndërsa, këtë pyetjen s’e kam qejf hiç për çka ki qejf me u mbajtë mend. Kisha pas qejf mos me u mbajtë mend, s’ka nevoje me u mbajtë mend”, ka thënë ai.
Kryetari aktual i Prishtinës Shpend Ahmeti ka thënë se Prishtina është shumë më mirë se tetë vite më parë, kur ai e fitoi mandatin e parë në zgjedhjet komunale.
“Megjithatë, unë mendoj që Prishtina sot është tepër më mirë se sa që ka qenë në fillim të këtyre 8 viteve. E di që është bërë modë pak që secili që mundet nëpër televizione na mëshon kapak sepse e dijnë që ne nuk reagojmë. Nuk jam tip që i reagoj gjithsecilit çka flet”, ka theksuar Ahmeti.
Karriera e Shpend Ahmetit nisi me partinë Fryma e Re. Më vonë u bë pjesë Lëvizjes Vetëvendosje me të cilën fitoi dy mandatet si kryetar i Prishtinës. Më pas ai kaloi në Partinë Socialdemokrate, por tani Ahmeti nuk është pjesë e asnjë partie dhe nuk ka shprehur ambicie që të garojë edhe një herë për kryeqytetin.