Në Komisionin për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport u diskutua rreth trashëgimisë kulturore, problematikat dhe punën që duhen bërë në këtë drejtim.
Në këtë komision prezent ishin anëtaret e Këshillit të Trashëgimisë Kulturore të sapo zgjedhur të cilët morën përgëzime por edhe përgjegjësinë mbi ruajtjen e trashëgimisë.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Uka, adresoi disa nga problematikat në kuadër të trashëgimisë kulturore duke përsëritur vazhdimisht se komunikimi i përbashkët dhe çasja e duhur janë kyçe.
“Duhet komunikim i përbashkët, çasje e duhur dhe efikase për ta bërë trashëgiminë kulturore një shtyllë të rëndësishme për vendin tonë”, tha Uka.
Në anën tjetër deputetja e VV-së, Arijeta Rexhepi, tha se duhet punohet edhe më shumë në drejtim të transparencës dhe të promovohet puna e saj.
“Duhet të punohet vazhdimisht edhe në faqen e transparencës që të shihet puna dhe të dihet se çfarë po punohet”, tha Rexhepi.
Kryetari i Komisionit, Ardian Gola, u uroi suksese grupit punues Këshillit të Kosovës për trashëgimi Kulturore, duke thënë se tashmë është në dorën e tyre që të punohet në hapat e punës dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore.
Gola njoftoi po ashtu se sot një javë do kenë për raportim Këshillin Shtetëror të Cilësisë.