Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar se Qeveria i ka propozuar Kuvendit bordin e ri të drejtorëve të AKP-së.
“Për një shoqëri demokratike e që i jep mundësi zhvillimit e progresit, sot i propozuam Kuvendit bordin e ri të drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP). Ky vendim nis përgatitjen e transformimit të kësaj agjencie dhe ndaljes së tjetërsimit zhvatës të pronës e pasurisë sonë”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Ai tha se privatizimi i egër që nisi në vitin 2002, nuk ishte brutal vetëm nga aspekti socio-ekonomik.
“Në qershor 2012, ish kreu i AKP-së u gjet i therur me 11 të rëna të thikës në një vdekje të dhunshme që ende mbetet enigmatike. Kosova duhet të lëvizë drejt Fondit Sovran dhe Agjencisë e Bankës Zhvillimore. Nuk do të jetë lehtë dhe as s’e bëjmë dot përnjëherë. Mirëpo, ndryshimi për të cilin votuan qytetarët dhe programi ynë qeveritar janë rruga e së ardhmes. Andaj, ky edhe është bordi i fundit i AKP-së”, ka përfunduar Kurti.