Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka dalë në një konferencë për media pas publikimit të përgjimeve në mediat online, ku përfshihen zyrtarë të ndryshëm të shtetit. Haxhiu ka thënë se përgjimet i ka përcjellë me vëmendje dhe se Vetingu është shumë i rëndësishëm në këtë drejtim.
Këmbanat për cenimin e drejtësisë po bien sërish disa vite pas aferës Pronto, u shpreh Haxhiu në konferencën e thirrur për media.
“Vetingu është shumë i rëndësishëm, për çka ministria e Drejtësisë është duke punuar vazhdimisht në këtë drejtim. Ne kemi hartuar draftin e parë të koncept dokumentit për Vetingun dhe pritet në fund të muajit gusht të miratohet në Qeveri”, tha ajo.
“Gjatë këtyre ditëve kemi përcjellë me vemendje publikimet nga përgjimet e lansuara në mediat sociale të cilat janë tronditëse për sistemin e drejtësisë, përkatësisht për sistemin prokurorial e gjyqësor….Të vetëdijshëm që për shumë vite zyrtarë të ndryshëm në instutucionet më të larta të drejtësisë kanë abuzuar me detyrën, rolin e përgjegjësitë….Jemi angazhuar parreshtur si qeverisje e re të ndërmarrim hapat e duhur për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin çdo herë brenda kompetencave të ministrisë, duke filluar nga majat e institucioneve për të sjellë rregull, drejtësi dhe dinjitet”, tha ajo tutje.
Haxhiu u shpreh se sistemi i drejtësisë së pari duhet të ketë njerëz me integritet moral e profesional, që i binden vetëm ligjeve, jo shantazheve e kërcënimeve.
Ndërsa, kur foli për publikimin e përgjimeve tha se flitet për nivele të larta të njerëzve, duke nisur nga kryeprokurori i shtetit.
“Bëhet fjalë për prokurorë, gjyqtarë, fliten emra që janë në nivele të larta, qoftë duke nisur nga kryeprokurori i shtetit”.