Selmanaj: Sot u dëshmua që Kurti është kundër agjendës amerikane

Aktuale

Selmanaj: Sot u dëshmua që Kurti është kundër agjendës amerikane

Më: 6 gusht 2021 Në ora: 15:52
Driton Selmanaj

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj ka thënë se sot u dëshmua që qeveria e kryeministrit Kurti është kundër agjendës amerikane për Kosovën.

Selmanaj ka thënë se mosvotimi i rezolutës nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje tregon që qeveria dhe shumica po vepron kundër agjendës strategjike për Kosovën.

“Për ata që ende kanë dilema që qeveria e LVV-së me kryeministrin Kurti janë kundër agjendes amerikane për Kosovën, sot u dëshmua edhe formalisht në Kuvendin e Kosovës. Lidhja Demokratike e Kosovës i ka propozuar sot Kuvendit, Rezolutën me vetëm një pikë të vetme si në vijim: Kuvendi i Republikës së Kosovës fton Qeverinë për zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Washingtonit të datës 4 shtator 2020, si dhe të përgatitë plan veprimi, i cili duhet të dërgohet për informim në Kuvend. Kjo Rezolutë mori mbështetjen vetëm të deputetëve të opozitës, votat e të cilëve ishin të pamjaftueshme për ta marrë miratimin e saj”, ka shkruar Selmanaj.

Tutje ai ka thënë se qasja e tillë është kundër interesave strategjike të Kosovës.

“Përkundër thirrjeve të vazhdueshme edhe nga adminstrata e re e Presidentit Biden, për domosdoshmërinë e zbatimit të kësaj marrëveshje, Qeveria dhe shumica parlamentare në Kuvend vendos që të sillet dhe veproj kundër kësaj agjende strategjike të shtetit tonë. Qasja e tillë është kundër Kosovës dhe kundër interesave strategjike për fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtarë të shtetit të Kosovës. Vetëm dhe vetëm në kordinim të ngushtë me SHBA-të, Kosova e ka të garantuar perspektivën dhe zhvillimin e saj. Rrugë tjetër nuk ka”, ka thënë ai.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk e kanë miratuar sot rezolutën për zbatimin e Marrëveshjes së Uashingtonit, që u arrit më 4 shtator 2020 në Shtëpinë e Bardhë, në Uashington.

Për rezolutën e propozuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës kanë votuar vetëm 24 deputetë, ndërkaq 57 deputetë abstenuan.

Në mesin e deputetëve që abstenuan ishin edhe atë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Rezoluta i bënte thirrje Qeverisë së Kosovës që të zbatonte këtë marrëveshje që përkrahet edhe nga Administrata Biden dhe të përgatiste një plan-veprim që do t’i dorëzohej Kuvendit të Kosovës.

Marrëveshja e Uashingtonit u nënshkrua nga kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në prani të presidentit të atëhershëm amerikan, Donald Trump.

Kjo marrëveshje është përkrahur edhe nga Administrata Biden.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat