Rritet numri i të infektuarve me COVID-19 – paralajmërohen kufizime për të pavaksinuarit

Aktuale

Rritet numri i të infektuarve me COVID-19 – paralajmërohen kufizime për të pavaksinuarit

Më: 6 gusht 2021 Në ora: 20:44
Gjendja aktuale me Covid-19

Në Kosovë autoritetet shëndetësore konfirmuan të premten 271 raste të reja të të prekurve nga COVID-19, pas 4 mijë e 660 testimeve.

Numri më i madh i të infektuarve, 73 syresh, janë të moshave nga 20 deri në 29 vjeç ndërsa tetë raste janë të moshës deri në 9 vjeç.

Autoritetet thonë se pjesa më e madhe e rasteve janë të infektuar me variantin Delta të koronavirusit, i cili sipas ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, nuk po kursen as fëmijët.

Janë shumë fëmijë të infektuar në valën e fundit, disa nga ta edhe pse në gjendje stabile të shtruar në klinikën pediatrike të Kosovës dhe ky është një alarm për të gjithë qytetarët që të jemi të ndërgjegjshëm”, tha ai.

Prej të hënës deri më sot janë regjistruar 845 raste të reja të të infektuarve me COVID-19, një shifër kjo e lartë pas një periudhe kur Kosova regjistronte numër të ultë të të inektuarve.

Ministri Vitia paralajmëroi masa të reja kufizuese për personat e pa vaksinuar.

“Ju lutem qytetarë vaksinohuni sepse nuk mund të lejojmë që qytetarët të cilët ndoshta për neglizhencë, ndoshta për mos përgjegjësisë qytetare të kenë liritë e njejta sikur me qytetarët e tjerë që janë të vaksinuar tani më dhe kanë këtë përgjegjësi. Edhe masat që do të ndërmarrim në vijim do të jenë masa në këtë drejtim ku qytetarëve të vaksinuar natyrisht do të kenë incetiva për shumë aktivitete gjersa atyre që nuk janë vaksinuar do të ketë masa të cilat shpresojmë do të nxisë vaksinimin e tyre”, tha ai.

Oda e Hotelierisë dhe Turizmit të Kosovës bëri të ditur sot se pas një takimi me ministrin e Shëndetësisë nga data 20 gusht çdo qytetar i Kosovës duhet të ketë marrë të paktën një dozë vaksine për të patur mundësi të hyjë në qendrat tregtare, në klube të natës apo të marrë pjesë ahengjet familjare.

Autortitetet po bëjnë thirrje për vaksinim masiv. Deri sot në Kosovë 165 mijë veta janë vaksinuar me dy doza, ndërsa në tërësi janë dhënë 478 mijë doza të vaksinave.

Autoritetet thanë sot se janë duke bërë përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor në shtatorit, por shqetësim mbetet numri ende i ultë i punonjësve të arsimit që janë vaksinuar.

Ministrja e Arsimit në qeverinë e Kosovës Arbërie Nagavci, tha një konferencë me gazetarë tha se deri më sot janë vaksinuar rreth 50 për qind e të gjithë punonjësve të arsimit.

“Pra si arsimtar janë deklaruar 3 mijë e 458 persona që tashmë janë vaksinuar, 193 drejtor të shkollave, edukues fizikë 108, mësimdhënës 7 mijë 680, profesorë 3 mijë 926 pastaj kemi referentë, punëtorë të arsimit 1 mijë 704 të vaksinuar, nxënës janë 319, studentë 12 mijë 395 të vaksinuar. Do të thotë se kemi rreth 50 për qind së paku të stafit të mësimdhënësve të vaksinuar”, tha ajo.

Zonja Nagavci tha se ministria nuk ka ndonjë mekanizëm që të detyrojë mësimdhënësit të vaksinohen ndërsa paralajmëroi vendime nga ana e qeverisë për të gjithë të punësuarit në sektorin publik./VOA

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat