Edhe kryetari i Republikanëve të Kosovës, Faton Kurti ka reaguar për ftesën e Goran Bregoviqit në festivalin e birrës në Korçë.
Kurti përmes një shkrimi në Facebook, shkruan se, kënga e Bregoviqit “Kallashnikov” ishte frymëzuese e ushtrisë dhe paramilitarëve serbë të cilët kryen masakra në Kosovë.
Ai shkruan se këngëtari serb kurrë nuk bëri deklaratë që distancon artin e tij nga krimet serbe.
“Ukraina dhe Polonia e kanë shpallur atë person NON-GRATA për shkak se ky shovinist e mbështeti publikisht aneksimin e Krimesë nga Rusia!”, shkruan Kurti.
Kurti tutje shkruan se në radiot serbe janë të ndaluara të transmetohen këngëtarët shqiptare si Dua Lipa, Rita Ora, Ava Max apo Bebe Rexha.
“E nëse bëhet fjalë për Art, pse nuk u ftua Dua Lipa të këndojë me qenë se ndodhet në bregdetin shqiptar? Apo çika e Kosovës na duhet për të promovuar Shqipërinë por për zdërhalljet alla turbofolk me birra na duhet një pijakëngëtar nga Serbia”, shkruan tutje ai.
Shkrimi i plotë:
Marrëzia nuk ka brirë...
Ndërsa shqiptarët e pasurojnë botën
me këngëtare të nivelit më të lartë Artistik, me trofe dhe çmime ndërkombëtare - në Festën e Birrës në Korçë ftohet një këngëtar no name që e njeh vetëm bota sllave si Goran Bregoviç.
Me apo pa dijeninë e tij gjatë luftës në Kosovë kënga e tij "Kallashnikov" ishte frymëzuese e ushtrisë dhe paramilitarëve serbë të cilat kryenin masakra në Kosovë.
Ai nuk ka bërë kurrë një deklaratë që distancon artin e tij nga krimet mizore të ushtrisë serbe.
Ukraina dhe Polonia e kanë shpallur atë person NON-GRATA për shkak se ky shovinist e mbështeti publikisht aneksimin e Krimesë nga Rusia!
Sigurisht që arti i vërtetë nuk njeh kufinj, por arti është edhe akt politik derisa një artist i vërtetë distancohet dhe dënon krimin dhe padrejtësitë. Kur nuk e bën këtë gjë edhe arti i tij barazohet me aktet e përbindshme të kasapëve që "hanin" kafka shqiptarësh.
Nëse radiot në Serbi e kanë të ndaluar të transmetojnë këngëtaret ndërkombëtare Dua Lipa, Rita Ora, Ava Max apo Bebe Rexha vetëm pse këto janë shqiptare, apo TV shtetëror serb ndalon transmetimin e tij kur atletet e Kosovës vishen me medalje të arta në Lojrat Olimpike pse u dashka që shqiptarët të paguajnë për dehjen publike me shlivovica të Bregovic-it në skenë.
Kjo ftesë është një akt I pastër politik në kuadër të "Ballkanit të shqyer" që ndër të tjera ia ka arritur qëllimit ti vendos shqiptarët kundër njëri-tjetrit. Në gjithë këtë teatër dy regjisorë po shkrihen së qeshuri pas kuintash dhe ata janë Vuçiq dhe Rama.
E nëse bëhet fjalë për Art, pse nuk u ftua Dua Lipa të këndojë me qenë se ndodhet në bregdetin shqiptar? Apo çika e Kosovës na duhet për të promovuar Shqipërinë por për zdërhalljet alla turbofolk me birra na duhet një pijakëngëtar nga Serbia.
Vetëm pak vite më parë në vitin 2014 mos harrojmë që ekipi kombëtar i Shqipërisë u masakrua me objekte mbi kokat e lojtarëve dhe me thirrjet e mijëra tifozëve në Beograd "Vrite, there shqiptarin, që shqiptari të mos ekzistojë".
E pra harresa është arma e armikut dhe mallkimi ynë. Mos lejoni që shkau të vijë të ulet këmbëkryq në sofrën e shqiptarit së paku Jo pa u ndëshkuar për krimet mizore që kanë bërë.