Nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, ka dhënë disa fakte për këngëtarin boshnjak-serb Goran Bregoviç, i cili do të mbajë koncert në Festivalin e Birrës në Korçë.
Mulhaxha-Kollçaku ka thënë se Bregoviç e filloi karrierën në kohën e luftës në vendlindjen e tij në Sarajevë, mirëpo kurrë nuk e ngriti si çështje vrasjen e mijëra bashkëqytetarëve të tij, përcjell Bota sot.
Mirëpo, sipas saj, pas bombardimit të Beogradit, ai nuk vonoi për të mbajtur koncert solidarizues në Selanik.
Nënkryetarja e VV-së ka theksuar se Bregoviç asnjëherë nuk u distancua nga miku i tij Radovan Karagjiqi, dhe nuk tha asnjë fjalë për kasapin e Ballkanit Millosheviqin dhe krimet e tij.
Reagimi i plotë në Facebook:
Disa fakte shtesë për Goran Bregoviqin.
Ky është ai njeri, i cili karierën e tij të dytë, pas shpërbërjes së bendit "Bijello dugme" një ndër më të njohurit në ish Jugosllavi, e filloi duke bërë muzikën për filmat e njërit prej shovinistëve më të mëdhenj, regjisorit Emir Kusturica. Pra, karrierën internacionale e filloi pikërisht në kohën e luftës në vendlindjen e tij, Sarajevën. Është po i njëjti që për tri vite e gjysmë, sa ishte e rrethuar dhe e granatuar në baza ditore Sarajeva, pra, vendlindja e tij, nuk e ngriti të paktën një herë si çështje vrasjen e mijëra bashkëqytetarëve të tij, të vegjël e të mëdhenj.
Asnjëherë!
Edhe pse ka pasur aq shumë raste.
Por, pas bombardimit të Beogradit, nuk vonoi për të mbajtur koncert solidarizues në Selanik.
Një neutral, si preferon të quhet, karshi luftës më të përgjakshme, pas Luftës së Dytë Botërore. Poashtu, ai asnjëherë nuk u distancua as nga miku i tij Radovan Karagjiqi, dhe nuk tha asnjë fjalë për Millosheviqin, kasapin e Ballkanit dhe krimet e tij.
Asnjëherë!