Zyrtari i Lëvizjes Vetëvendsoje, Arbër Zaimi është përfshirë në debatin për performancën e këngëtarit serb, Goran Bregoviq në Korçë.
Ai tha se këto debate po bëhen me disa prapaskena ballkanike, ku po synohen disa qëllime të caktuara politike.
Ndër të tjera, ai tha se përmes debatit të ftesës së Bregoviqit po mundohet të mbulohet skandali i Ramës, me idenë e shantazhimit të Kosovës.
U mbulua skandali që po ndodh me diplomacinë shqiptare, ku Rama po ecën gjithnjë e më larg Kosovës dhe më pranë Serbisë, me idenë për ta shantazhuar Kosovën duke i thënë “vetëm s’mundeni, do të vini pas nesh e ne do t’ju çojmë te Serbia”. Kjo politikë e detyrimit të Kosovës dhe jo e diskutimit apo koordinimit me Kosovën, e bën Ramën vazhdues të veprimeve të Grenellit kur ai ishte ambasador i Trumpit”, shkroi Zaimi në Facebook, përcjell “Bota sot”.
Postimi i plotë
Psy-op (term ushtarak, operacion psikologjik): Operacion që përçon informacion apo indikatorë të caktuar në audienca të synuara, që t’ua ndikojë emocionet, motivet dhe arsyetimin objektiv, për të nxitur sjellje e veprime të favorshme për qëllime të caktuara politike.
“Goran Bregoviçi në Korçë” është një psy-op i gatuar në prapaskena ballkanike, që arriti këto qëllime:
1. Gërvishti plagët ende të pambyllura të Kosovës, duke ia lënë fajin për këtë lëndim shqiptarëve të Shqipërisë, të cilët, falë reagimeve të shkujdesura të të painformuarve syresh, e falë reagimeve të kujdesura të disa specialistëve, u paraqitën si të pandjeshëm ndaj vuajtjeve traumatike e post-traumatike të Kosovës.
2. Me të drejtë, pati njerëz që shtruan pyetjen: çfarë bashkëkombasi është ai që për dy orë aheng me birra e trumpeta, është gati të më shkelë në plagë? Reagimi i shqiptarëve nga Kosova, por edhe nga troje të tjera e nga Shqipëria, teksa shprehte dhimbjen e viktimave, si efekt i polemikës me shqiptarë të tjerë, u relativizua e u portretizua si “i prapambetur”, “fanatik”, “kërcënues”, “mendjembyllur”. Pra të kërkosh prej bashkëkombasve respekt të dhimbjes dhe mbështetje për drejtësinë, u paraqit gati si një primitivizëm kafshëror.
3. U riaktualizua (nga Shqipëria) teza e vjetër serbomadhe: shqiptari i Shqipërisë, shqiptar i mirë (për Serbinë), shqiptari i Kosovës, shqiptar i keq. Kjo në të njëjtën kohë kur qeveria aktuale serbe akuzohet edhe sot e kësaj dite për spastrim me metoda administrative ndaj shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë, Bujanoc, por edhe në të njëjtën kohë kur propagandohet zyrtarisht koncepti i “botës serbe” në Ballkan.
4. U moralizua mbi faktin se ata që ankohen për Bregoviçin blejnë miell e bukë serbe, edhe pse problemi nuk qëndron te ata që blejnë më lirë prodhimet e subvencionuara me qëllim ekspansivist, por te ata tregtarë e monopolistë shqiptarë që hyjnë në raporte partneriteti me homologët e tyre serbë, dhe me ata politikanë shqiptarë që nuk duan ta mbrojnë prodhimin vendor. Janë të njëjtët oligarkë e marketerë që sjellin Bregoviçin, e që u moralizojnë qytetarëve pse e blejnë mallin që po këta ua shesin.
5. U mbulua skandali që po ndodh me diplomacinë shqiptare, ku Rama po ecën gjithnjë e më larg Kosovës dhe më pranë Serbisë, me idenë për ta shantazhuar Kosovën duke i thënë “vetëm s’mundeni, do të vini pas nesh e ne do t’ju çojmë te Serbia”. Kjo politikë e detyrimit të Kosovës dhe jo e diskutimit apo koordinimit me Kosovën, e bën Ramën vazhdues të veprimeve të Grenellit kur ai ishte ambasador i Trumpit.
6. U mbulua lobimi që po bën Grenell në Shqipëri e Serbi, duke takuar politikanë dhe oligarkë, lobim i cili jo vetëm është i kundërt me lobimin që bëjnë qarqe të tjera amerikane me histori më pro-shqiptare, ndër to edhe Wesley Clark, por është edhe kundër interesave të qytetarëve e ekonomisë shqiptare.