Në kuadër të zjarrfikësve nga Kosova që kanë shkuar për t’i ndihmuar autoriteteve lokale në Kukës në luftimin e zjarreve atje, janë edhe tre zjarrfikës nga komuna e Deçanit.
Zjarrfikësi nga kjo komunë, Arianit Hamza tha se intervenimi i tyre do të fillojë nesër në mëngjes.
“Gjendemi tek hymja e tunelit të kalimashit, gjendja është alarmante dhe për shkak se ne nuk e njohim mirë terrenin, e kemi lënë që nesër në ora gjashtë me intervenu”, tha ai.
Ai përmes një lidhje telefonike në Edicionin Special tregoi se nga Komuna e Deçanit janë tre zjarrfikës, ndërsa nga e gjithë Kosova janë gjithsej 33.
Hamza tha se në Kukës janë nisur pas intervenimit tek pesë zjarre në Komunë e Deçanit.
“Ne sapo kemi ardhur nga zjarri në komunën tonë në Deçan, pesë zjarre i kemi pas atje veç brenda dite”, shtoi Hamza.
Tutje, ai tregoi se kushtet e tyre nuk janë aspak të mira për intervenim, por pavarësisht kësaj, me mjetet që ata posedojnë janë nisur për intervenim në Kukës.