Publicisti Shkëlzen Gashi me një postim të shkurtër është përfshirë në debatin lidhur me pjesëmarrjen e këngëtarit Goran Bregoviq në Festën e Birrës në Korçë.
Gashi ka shkruar se shqiptarët e Kosovës po lëndohen nga organizimi i koncertit ku do të performojë Goran Bregoviqi. Por ai ka kujtuar se qytetarët e Shqipërisë lëndohen më shumë kur në Kosovë organizohen akademi përkujtimore për diktatorin Enver Hoxha.
“Ata po na lëndojnë kur po organizojnë koncert me goran bregović-in, ama mos harroni se na i lëndojmë edhe më shumë ata, kur organizojmë akademi përkujtimore për enver hoxhën”, ka shkruar Gashi.
Bashkia e Korçës ka vendosur që për Festën e Birrës ta ftojë në Shqipëri këngëtarin serb, Goran Bregoviq, duke kërkuar – menjëherë pas kritikave të para – që muzika e tij të mos përzihej me politikë.
Paralajmërimi i ardhjes së Bregoviqit në Shqipëri është pritur me shumë kritika, kryesisht nga Kosova.