Hajdari ligjin për naftën e quan zgjidhje afatshkurtër

Aktuale

Hajdari ligjin për naftën e quan zgjidhje afatshkurtër

Më: 10 gusht 2021 Në ora: 19:48
Rozeta Hajdari

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka arsyetuar kthimin e kontrollit të cilësisë në Doganë, edhe pse një gjë e tillë nuk është e paraparë me Ligjin e vjetër për naftën. Një gjë e tillë, sipas saj, është bërë pasi ka konstatime se trupat inspektues privatë nuk kanë pasur parametrat që i ka pasur Dogana. Por një Raport i Zyrës Kombëtare të Audtimit kishte kritikuar kontrollet e kryera në Doganë

Kthimi i kontrollit të cilësisë së naftës nga trupat inspektues në Doganë, sipas ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka kthyer situatën siç ka qenë me Ligjin e vjetër për naftën.

Por, në këtë Ligj nuk parashihet që ky kontroll të bëhet nga Dogana. Aty parashihet që kjo të bëhet nga Ministria.

Megjithatë, ministrja Hajdari kryerjen e këtij shërbimi nga Dogana e arsyeton me joligjshmëri të udhëzimit të bërë nga qeverisja e kaluar dhe me vonesat për aprovimin e ligjit të ri për naftën.

E pyetur nëse vendimi i saj bie në kundërshtim me ligjin e vjetër, ajo ka thënë se si zgjidhje afatshkurtër kontrolli i cilësisë është vendosur në Doganë.

“I bie ndoshta me një arsye, për shkak se nuk i bie e kundërligjshme, por që gjetjet në treg kanë konstatuar se trupat inspektues privatë nuk kanë pasur parametrat që i ka pasur Dogana dhe si zgjidhje afatshkurtër është vendosur në Doganë, por kjo nuk do të thotë që është rregulluar tregu i naftës”, ka thënë ministrja Hajdari.

Sipas saj, janë për keqardhje vonesat në miratimin e Ligjit të ri për naftën.

“Me Ligjin e vjetër ashtu ka qenë e paraparë, kjo është pak për keqardhje pse nuk është shtyrë aprovimi i ligjit të ri, por pse ka pritur një ligj prej vitit 2021 nga viti 2009 apo 2010. Bie në pozitë të keqe të shpjegoj se pse qeveritë e mëhershme nuk e kanë shtyrë Ligjin për tregun e naftës, por në pamundësi të shtyrjes së Ligjit për shkak të konflikteve që kanë pasur të grupeve të ndryshme të interesit, Ligji i naftës nuk është shtyrë në Parlament, ndoshta është shtyrë prej një ministri të linjës, por nuk ka pasur përkrahje të përgjithshme politike”, ka theksuar ajo.

Edhe një raport i Zyrës Kombëtare të Auditimit i vitit 2019 tregon se kontrollet e importeve të derivateve të naftës të kryera nga Dogana nuk kanë arritur të sigurojnë që nafta e importuar plotëson standardet.

Raporti kishte konstatuar se laboratori i Doganës ka kryer kontrolle edhe pa qenë i akredituar.

Edhe ministrja Hajdari e pranon gjendjen jo të mirë në këtë sektor.

“Tregu i naftës ka shumë probleme. Tregu i naftës ka probleme duke filluar nga importi, importi i naftës nuk vjen me kualitet që ne e presim, sidomos importi i naftës industriale, dhe jam e vetëdijshme që përzierja e naftës është në vëmendjen tonë që ne duhet të adresojmë këtë problem, por ne nuk mundemi jashtëligjshëm që të mbyllim ndonjë rafineri nëse nuk gjejmë gjetje”, ka theksuar ajo.

Ka thënë se janë në inspektime të vazhdueshme dhe në bashkëpunim me Doganën për të ndarë përgjegjësitë e Ministrisë në raport me kontrollin e tregut në hyrje në Doganë dhe kontrollin e tregut në treg duhet të jetë sipas ligjit nga Inspektorati i Tregut, por kjo, sipas saj, nuk do të thotë që me Doganën nuk do të rrisin edhe parametrat e cilësisë.

“Në komunikimet e fundit me Doganën janë shtuar parametra shtesë, për parametra të cilësisë megjithatë gjithmonë ka vend për të përmirësuar dhe unë mendoj që me akte nënligjore do të rregullojmë sadopak tregun e naftës”, ka theksuar ajo.

Projektligji i ri për Naftën është aprovuar në Qeveri në fund të qershorit dhe i është përcjellë Kuvendit për shqyrtim.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat