Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu paralajmëroi të mërkurën Këshillin Prokurorial dhe Gjyqësor se nuk do të kenë mbështetjen e MD-së nëse i mbyllin sytë përballë shkeljeve dhe skandaleve.
I menjëhershëm ishte reagimi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës duke thënë se po i përmbushin përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore.
Në reagim thuhet edhe se deklaratat e ministres Haxhiu nuk i kontribuojnë bashkëpunimit të institucioneve.
“Reagimet dhe deklarata e Ministres Haxhiu nuk i kontribuojnë bashkëpunimit të institucioneve sepse përgjegjësitë e institucioneve për komunikim dhe bashkëpunim përcaktohen me Kushtetutë dhe ligj, dhe jo nga vullnetet personale. Përndryshe, KGjK, ka mekanizmat e vet për adresimin e secilës çështje që është përgjegjësi e KGjK-së, andaj çfarëdo përpjekje nga jashtë, përfshirë edhe deklaratat e Ministres Haxhiu, janë pa ndikim në mënyrën se si funksionon ky Këshill. Këshilli Gjyqësor, i siguron të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës se do të vazhdojë të angazhohet për një sistem gjyqësor të pavarur, transparent dhe të paanshëm dhe i bën thirrje Ministres së Drejtësisë që të përmbahet rreth çfarëdo deklarate që interferon në pavarësinë e gjyqësorit”, thuhet në reagimin e KGjK-së.
Gjithë reagimet erdhën pasi zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu në një konferencë për media të martën akuzoi ish-ministren e këtij dikasteri Dhurata Hoxha dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK) për ndarjen e mjeteve financiare prej afër 1 milion euro në mënyrë të kundërligjshme për grupe të caktuara të ekspertëve mjekoligjorë.
Ndaj të cilës deklaratë reagoi Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), duke sqaruar se nuk ka bërë asnjëherë pagesa të ekspertëve mjekoligjorë në mënyrë të kundërligjshme.