Edhe kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri ka reaguar ndaj deklaratës së kandidatit nga radhët e PDK-së për kryetar të kësaj komune, Bedri Hamza se “partitë opozitare në Mitrovicë janë bërë bashkë kundër Vetëvendosjes”.
Bahtiti e mirëpriti këtë deklaratë të Hamzës duke thënë se kjo është një shenjë e mirë, që po e përfillin këshillën e tij të dhënë publikisht më 18 korrik 2021
“Pra, Bedri, dua të ju shoh të gjithëve bashkë dorë për dore dhe kështu t'a kryeni procesin zgjedhor që në raudin e parë, veç për të shkuar në shtëpitë e juaja secili veç e veç, sepse qytetarët e Mitrovicës tashmë janë përcaktuar për kryetarin e tyre”, shkroi Bahtiri në Facebook, përcjell “Bota sot”.
Postimi i plotë
Bedri Hamza paska thënë që të gjitha partitë opozitare në Mitrovicë janë bërë bashkë kundër Vetëvendosjes. Kjo është një shenjë e mirë se Bedriu me ekipin e tij të 'tinejxherëve' dhe partitë tjera opozitare po e përfillin këshillën time të dhënë publikisht më 18 korrik 2021.
I pata ftuar që të bëhen bashkë në zgjedhjet e 17 tetorit, sepse në të kundërtën do të bëhen horë me rezultatin që do ta marrin. Nëse bëhen bashkë, atëherë e mira për secilin është se barrën e përgjegjësisë për dështim ia hedhin njëri-tjetrit.
Pra, Bedri, dua të ju shoh të gjithëve bashkë dorë për dore dhe kështu t'a kryeni procesin zgjedhor që në raudin e parë, veç për të shkuar në shtëpitë e juaja secili veç e veç, sepse qytetarët e Mitrovicës tashmë janë përcaktuar për kryetarin e tyre.
Nëse më 2013 dhe 2017 partitë janë bërë bashkë në balotazh, ai bashkim ka qenë kundër krimit që partia juaj e ka instaluar në komunën e Mitrovicës. Partitë opozitare tash edhe mund të bëhen bashkë, por elektorati i tyre nuk do të bashkohet për ta kthyer krimin në Mitrovicë.
AB