Para fillimit të vitit të ri akademik, Ministria e Arsimit u ka kërkuar studentëve, që duan të banojnë në konvikte, që të vaksinohen.
Sipas Ministrisë së Arsimit, në konvikte do të pranohen vetëm studentët e vaksinuar.
“Ftojmë edhe studentët, sidomos ata që duan t’i shfrytëzojnë konviktet në Qendrën e Studentëve, që të vaksinohen para fillimit të vitit të ri akademik.”
Zyrtarë të Ministrisë, nëpërmjet një përgjigje me shkrim, nuk e kanë përjashtuar mundësinë që, nëse përkeqësohet situata me COVID-19, mund të merren masa të tjera.
Por një vendim të tillë ende nuk e kanë pranuar në Qendrën Studentore, e cila po bëhet gati për pranimin e studentëve.
“Në jemi në kontakt me MSH-në dhe MASHTIN, IKSHPK-në rreth vendimit se si do të veprojmë në vazhdim. I ftojmë studentët që të vaksinohen për të mirën e të gjithë shoqërisë. Ne ende nuk kemi ndonjë vendim përfundimtar se a do të lejohen studentet e pavaksinuar”, tha Shyhrete Abdullahu zyrtare për informim në QS.
Ajo thotë se nëse studentët vaksinohen, atëherë ka gjasa që 4000 studentë të vendosen në konvikte.
“Ende është në fuqi vendimi i kaluar për një student në dhomë, për shkak të gjendjes me COVID-19 që ishte por tash siç është përkëqsu gjendja nuk kemi vendim përfundimtar se a do të shkojmë edhe këtë vit apo do të rriten kapacitetet”, shtoi ajo.
Abdullahu tregoi se tashmë janë duke u bërë përgatitjet e fundit dhe disa intervenime në disa konvikte, para fillimit të vitit të ri akademik.