Thirrja e SHBA-së për Evropën dhe Kosovën: Lidhni marrëdhënie me Tajvanin

Aktuale

Thirrja e SHBA-së për Evropën dhe Kosovën: Lidhni marrëdhënie me Tajvanin

Më: 13 gusht 2021 Në ora: 12:12
Foto ilustrim

Shtetet e Bashkuara të Amerikës në dy muajt e fundi kanë qenë jashtëzakonisht të zëshme kundër Kinës dhe në mbështetje të hapur me Tajvanin.

Zyrtarë amerikanë në muajt e fundit vazhdimisht u kanë bërë thirrje aleatëve të tyre nëpër botë që të lidhin marrëdhënie me Tajvanin.

Shumica e shteteve të Bashkimit Evropian kanë ndjekur politiken amerikane, duke krijuar Zyra Ekonomike të Tajvanit në shtetet e tyre dhe duke bashkëpunuar sidomos në fushën e ekonomisë.

Javë më parë, Lituania bëri të ditur se ka lejuar hapjen e Zyrës Ekonomike të Tajvanit në kryeqytetin e saj Vilnius. Kjo ka ngritur tensione shumë të mëdha ndërmjet Lituanisë dhe Kinës.

Por, i menjëhershëm ka qenë reagimi amerikan – shteti që po e mbështet Tajvnin në lidhjen e marrëdhënieve sidomos ekonomike me shtete të ndryshme të botës.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Amerikan, Ned Price, u ka bërë thirrje të gjitha shteteve në kontinentin evropian, kjo thirrje shkon edhe për Kosovën, që të ndjekin shembullin e Lituanisë dhe krijojnë marrëdhënie me Tajvanin.

“Ne qëndrojmë me aleatin tonë Lituaninë dhe dënojmë veprimet hakmarrëse të fundit të Republikës Popullore të Kinës duke tërhequr ambasadorin e tyre në Vilnius dhe duke kërkuar që Lituania të tërheqë ambasadorin e saj në Pekin. SHBA-ja mbështet partnerët tanë evropianë që të zhvillojnë marrëdhënie me Tajvanin”, ka thënë zëdhënësi Price.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë duke ndihmuar Tajvanin që të krijojnë grupe të miqësisë në shumë parlamente të botës, duke nxitur bashkëpunimin ekonomik, parlamentar dhe në fusha tjera me Tajvanin.

Shumica e parlamenteve të shteteve të BE-së tashmë kanë formuar grupe të tilla, madje edhe Parlamenti Evropian ka një të tillë, Senati dhe Kongresi amerikan po ashtu.

Image

 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat