Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla- Schwarz, ka përzgjedhur një emër për ambasador në Shqipëri.
Personit të përzgjedhur veç kanë nisur t’i dërgohen urime nga miqtë në rrjetin social. Bëhet fjalë për Idriz Zeqirajn.
“Urime i nderuar z.Idriz Zeqiraj, zgjedhja e juaj Ambasador në Shqipërinë nënë. E falënderojmë ministren znj. Donika Gërvalla- Schwarz për nominimin e personit më të duhur në këtë detyrë diplomatike në Shqipëri, z.Idriz Zeqiraj”, është urimi që i është bërë Zeqirajt nga miku i tij R.K.
Por, ky urim nuk është i vetmi, ani pse nga MPJ ende nuk e ka konfirmuar nominimin e tij.
“Zgjedhje shumë e qëlluar. Idriz Zeqiraj do të jetë një përfaqësues shumë dinjitoz. T’lumtë Zonja Donika Gërvalla-Schwarz”, ka shkruar Xhevat Berisha, një mik tjetër i Zeqirajt.
Gazeta ka provuar të kontaktoj me Zeqirajn, por nuk ka arritur të komunikoj me të.
Në fotot që janë postuar nga Berisha, Zeqiraj shihet me ministren Gërvalla.
Edhe në profilin e tij, Zeqiraj ka të postuar deklarata që i ka dhënë për mediat vendëse në lidhje me ministren e Jashtme.
Ai ka përkujtuar rastin kur Donika Gërvallën e kanë “tërhequr zvarrë nga salla e Kuvendit të LDK-së”.
Mirëpo, me bashkimin e Gërvallës dhe Vjosa Osmanit, siç ka thënë ai në një rast, në vjeshtë të 2020, erdhi edhe ndryshimi i shumëpritur në LDK.
Emërimi i ambasadorëve kalon nëpër një procedurë të gjatë.
Fillimisht, ministrja e Jashtme i dërgon emrat e të propozuarve për ambasadorë në Kuvendin e Kosovës.
Aty, Komisioni për Politikë të Jashtme angazhohet në intervistimin e kandidatëve dhe në përpilimin e raportit i cili i dorëzohet presidentes.
Më pas, presidentja vendos për dekretimin e tyre.
Marrë parasysh faktin se deputetët janë në pushime nga dita e sotme, atëherë gjasat që ky proces të kryhet shpejt janë të pakta.
Në fund të këtij muaji pritet të kthehen ambasadorët e shkarkuar, dhe fillimi i shtatorit ka gjasë që ta zë Kosovën pa ambasadorë në shumë shtete respektive.

