PDK mbështet strehimin e refugjatëve afganë në Kosovë

Aktuale

PDK mbështet strehimin e refugjatëve afganë në Kosovë

Nga: A.SH Më: 15 gusht 2021 Në ora: 18:22
Memli Krasniqi

Kryetari i PDK-së, Memeli Krasniqi ka shprehur mbështetjen e plotë për strehimin e shtetasve afganë në Kosovë.

“Pranimi i këtyre refugjatëve të luftës është një dëshmi se Kosova nuk është vetëm konsumatore ndihme, por është e gatshme që me të gjitha mundësitë e saj të japë kontributin që i takon në kuadër të solidaritetit ndërkombëtar”, ka shkruar Krasniqi në facebook.

Postimi në Facebook:

Në emër të Partisë Demokratike të Kosovës dhe në emrin tim, shpreh mbështetjen e plotë për strehimin në Kosovë të shtetasve afganë që kanë punuar me strukturat e qeverisë amerikane dhe ato të institucioneve të tjera ndërkombëtare.

Jo vetëm si kërkesë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës - që është një mundësi për të shprehur mirënjohjen tonë ndaj aleatëve tanë amerikanë për gjithë atë që kanë bërë e vazhdojnë të bëjnë për ne, por mikpritjen dhe ndihmën ndaj të huajve që janë në vështirësi ne e kemi traditë kombëtare dhe obligim moral, si një popull që ka vuajtur shumë e që kemi përfituar prej ndihmës së ardhur nga jashtë.

Pranimi i këtyre refugjatëve të luftës është një dëshmi se Kosova nuk është vetëm konsumatore ndihme, por është e gatshme që me të gjitha mundësitë e saj të japë kontributin që i takon në kuadër të solidaritetit ndërkombëtar.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat