Ambasada amerikane jep lajmin: Kosova i bashkohet thirrjeve për largimin e sigurt të afganëve

Aktuale

Ambasada amerikane jep lajmin: Kosova i bashkohet thirrjeve për largimin e sigurt të afganëve

Më: 16 gusht 2021 Në ora: 07:48
Philip Kosnett, ambasador i SHBA-ve në Kosovë

Ambasada amerikane në Prishtinë ka publikuar mëngjesin e sotëm deklaratën e departamentit amerikan të shtetit, ku flitet për situatën në Kabul dhe largimin e afganëve nga vendi.

Nga kjo ambasadë kanë thënë se Kosova i bashkohet SHBA-së në thirrjen që të gjithë palët të respektojnë largimin e sigurt të shtetasve të huaj dhe të afganëve.

“Kosova i bashkohet Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera në thirrjen: “të gjitha palëve të respektojnë dhe lehtësojnë, largimin e sigurt dhe të rregullt të shtetasve të huaj dhe afganëve që dëshirojnë të largohen nga vendi”, shkruhet në postimin e ambasadës amerikane në Prishtinë.

Departamenti amerikan i shtetit përmes një deklaratë të përbashkët me disa shtete të tjera, përfshirë këtu dhe Kosovën, ka bërë thirrje që të punohet për largimin e afganëve.

“Afganët dhe shtetasit e huaj që dëshirojnë të largohen duhet të lejohen ta bëjnë këtë; rrugët, aeroportet dhe vendkalimet kufitare duhet të qëndrojnë të hapura dhe qetësia duhet të ruhet. Populli afgan meriton të jetojë në siguri dhe dinjitet. Ne në bashkësinë ndërkombëtare jemi gati t’i ndihmojmë ata”, thuhet në këtë deklaratë.

Ambasada Amerikane në Kosovë, dje ka konfirmuar se është në bisedime me Qeverinë e Kosovës për strehimin e partnerëve amerikanë të cilët veprojnë në Afganistan, e që janë të rrezikuar për shkak të marrjes së kontrollit të shumë pjesëve të vendit nga talebanët.

Kurse presidentja Vjosa Osmani e ka konfirmuar se se Kosova i ka dhënë përgjigje pozitive kërkesës së SHBA-së për strehimin e afganëve.

Ajo ka theksuar se për këtë çështje ishte kontaktuar në korrik nga ambasadori Kossnet.

Osmani tha se menjëherë, pa asnjë hezitim ia ka dhënë pëlqimin, për siç e quan – operacion humanitar.

Osmani thotë se ka qenë kërkesë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që kjo çështje të mbetet konfideciale për arsye të sigurisë dhe të procesit të largimit të qytetarëve afganë nga Afganistani

Tutje, Osmani thotë se Qeveria e Kosovës, menjëherë pas kërkesës dhe diskutimit e dakordimit institucional, “ka formuar grupin punues që merret me cështjet organizative bashkë me partnerët tanë amerikanë”.

Ajo shprehet se askush më mirë sesa Kosova nuk e di çka do të thotë të dëbohesh e të largohesh me dhunë nga vendi ku je rritur.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat