Apetitet e Sami Lushtakut: E mposhtim Bekim Jasharin bashkë me Albin Kurtin

Aktuale

Apetitet e Sami Lushtakut: E mposhtim Bekim Jasharin bashkë me Albin Kurtin

Më: 16 gusht 2021 Në ora: 15:35
Bekim Jashari dhe Sami Lushtaku

Vetëvendosje ka mbetur pa kandidat për kryetar të Skenderajt. Hysen Mehani, të cilin e emëroi dega e këtij subjekti atje, u tërhoq nga gara sot dhe konfirmoi mbështetjen për kryetarin aktual të Skenderajt, njëherit deri dje ish-kundërkandidatin e tij, Bekim Jashari.

Kjo s`po e tremb fare rivalin e tyre nga radhët e PDK-së, Sami Lushtaku. Ky në një prononcim i paralajmëroi të dy se do t`i mposht, madje goxha bindshëm në garën zgjedhore për Skenderajn.

“Ne jemi në garë. Frikë nuk kam as nuk kam pasë kurrë. PDK-ja është e fortë në Drenicë. Besojmë fuqishëm që i kemi 70 % të votave. Po presim fitore”, theksoi Lushtaku.

Hysen Mehani i VV-së, për numrin një të PDK-së në Skenderaj, është i panjofshëm.

“Kush është ai”, pyet Lushtaku.

Skenderaji ka qenë bastion i PDK-së që prej se në Kosovën e pasluftës janë organizuar zgjedhjet.

Ramadan Gashi e udhëhoqi për gati 8 vjet, e më vonë, pas pavarësisë, Sami Lushtaku.

Në zgjedhjet e kaluara lokale, ato të 2017-s, subjekti nuk garoi fare në këtë komunë, pasi e mbështeti Bekim Jasharin.

Meqë tash për zgjedhjet lokale të këtij viti, që do të mbahen më 17 tetor, i kanë ndarë rrugët, gara në Skenderaj mes Jasharit dhe Lushtakut pritet të jetë njëra nga më të nxehta politike.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat