Kryeministri Kurti: Ky është momenti i fundit për ballafaqim në të kaluarën

Aktuale

Kryeministri Kurti: Ky është momenti i fundit për ballafaqim në të kaluarën

Më: 18 gusht 2021 Në ora: 15:22
Kryeministri Albin Kurti

Për herë të parë sot është mbledhur grupi punues për hartimin e Strategjisë për Drejtësi Tranzicionale, e cila po konsiderohet e rëndësishme për ballafaqimin me të kaluarën dhe krijimin e kujtesës kolektive.

Kryeministri Albin Kurti tha se është momenti i fundit për adresimin e asaj që ka ndodhur gjatë luftës së fundit në Kosovës.

Duke i konsideruar gabim nismat e ndërmarra më herët në drejtim të Drejtësisë Tranzicionale, shefi i qeverisë kërkoi koordinim të duhur në mes palëve të përfshira për përgatitjen e kësaj strategjie.

Kurti: Momenti i fundit për ballafaqim me të kaluarën

“Ky është momenti i fundit për ballafaqim në të kaluarën, është momenti i fundit për adresimin e krejt asaj që ka ndodhur matjen dëmeve, riparimin e tyre, përmbushjen e së drejtës për të vërtetën e krimeve, të mbijetuarit dhe familjet e tyre. E pikërisht sepse ky është momenti i fundit është tejet i rëndësishëm që gjërat t’i bëjmë siç duhet. Është absolutisht e nevojshme që të kemi koordinim të duhur në mes grupeve punuese në mënyrë që të kemi konsistencë në mes produkteve që nxjerrin. Nuk i bëjmë nderë as vetës e as bartësve të dëmit në Kosovë nëse vazhdojmë të krijojmë nisma të cilat bien ndesh me njëra-tjetrën ose përsërisim vetveten”, u shpreh Kurti.

Shefi i ekzekutivit kosovar tha se tashmë si qeveri është e qartë se fokus i tyre kanë ballafaqimin me të kaluarën, prandaj kërkoi që kjo strategji të mos mbetet në letër, por të gjejë zbatim sepse përmes Strategjisë për Drejtësi Kolektive krijohet kujtesa kolektive.

Kurti: Kjo strategji të mos mbetet në letër

“Ne si Qeveri tashmë e kemi bërë të qartë fokusin tonë në ballafaqimin me të kaluarën për momentin ekzistojnë disa nisma që janë në proces e sipër të gjitha të lidhura me krimet e kryera gjatë luftës. Përtej asaj që kjo strategji duhet të përfshijë të gjitha këto nisma duhet të ekzistojë edhe bashkëpunim i ngushtë e kuptimplotë mes tyre. Edhe pse ende është herët të flasim për rezultatet e strategjisë për qeverinë tonë është shumë me rëndësi që kjo strategji mos të mbetet vetëm në letër. Për këtë dëshiroj që qysh në takimin e parë të bërë thirrje për themelimin e trupi mbikëqyrës të strategjisë që do themelohet me vendim të Qeverisë... Ne nuk e kemi luksin që të gabojmë kësaj radhe nuk kemi mundësinë që të eksperimentojmë e të dështojmë në eksperimentet tona, për këtë arsye është kruciale që të bashkojmë forcat dhe ta përkrahim njëri-tjetrin të gjithë...Sepse qëllimi i të gjithë neve besoj është i përbashkëte ka të bëjë me krijimin e kujtesës kolektive e cila nuk do na shërbej vetëm neve por edhe gjeneratave të ardhshme”, tha shefi i Qeverisë së Kosovës.

Ndërsa ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se si ministri do të mundohen që strategjia të ketë fokus viktimat dhe të jetë gjithëpërfshirëse, dhe sipas saj iniciativa të tilla kanë ekzistuar edhe më parë, por ka pasur mungesë të vullnetit politik.

Ajo po ashtu bëri të ditur se në shtator do të kalojë në Qeveri koncept-dokumenti i projektligjit për themelimin e institutit për krimet e kryera gjatë luftës së fundit në Kosovës.

Haxhiu: Strategjia për Drejtësi Tranzicionale, e nevojshme

“Në shtator, pas pak ditësh, ky koncept-dokument do të shkojë për votim në qeveri dhe më pas do t’i hapet rruga draftimit të këtij projektligji për themelimin e institutit për krimet e kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë...Konsideroj se një iniciativë e tillë ka qenë shumë e nevojshme qysh nga përfundimi i luftës në Kosovë, por që në mungesë të një marrëveshje të paqes, mjetet dhe mekanizmat që përbëjnë drejtësinë tranzicionale u ndërmorën ad hoc shpesh me mandate të mbivendosura dhe të përcjella me mungesë të vullnetit politik për ta bërë ballafaqimin me të kaluarën prioritet në agjendën shtetërore. Sot ballafaqimi me të kaluarën është prioritet i qeverisë tonë dhe hartimi i strategjisë për drejtësi tranzicionale përbën një ndër hapat më të rëndësishëm në bashkërendim të aktiviteteve, mjeteve dhe mekanizmave që trajtojnë të kaluarën, adresojnë kërkesat dhe nevojat e viktimave, kontribuojnë në realizimin e të drejtave të tyre dhe familjarëve të tyre dhe përmbushin obligimet e shtetit në këtë drejtim”, tha ministrja Haxhiu.

Koordinatori i këtij grupi punues, Baki Svirca tha se përmes Strategjisë për Drejtësi Tranzicionale do të krijohet një platformë për të vendosur fakte mbi të kaluarën dhe të korrigjojë padrejtësitë nga e kaluara e dhimbshme.

Svirca: Strategjia për Drejtësi Tranzicionale korrigjon padrejtësitë

“Strategjia për Drejtësi Tranzicionale duhet të draftohet si një kornizë gjithëpërfshirëse për trajtimin e shkeljes masive të të drejtave të njeriut dhe krimeve të luftës, përkatësisht për të ndërtuar themelet e një të ardhme më paqësore. Veç të tjerash, qëllimi i këtij dokumenti strategjik do të jetë edhe politika dhe iniciativave të deritanishme që prekin fushën e drejtësisë tranzicionale si dhe propozimi për politika të reja nëpërmjet secilit shtetit dhe qeveria jonë të adresojë shkeljet e të drejtave të njeriut dhe krimeve të luftë... Qëllimi i strategjisë për drejtësi tranzicionale është të korrigjojë padrejtësitë dhe të shërojë traumat nga e kaluara e dhimbshme”, theksoi ai. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat