Ish ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, e quajti “Rekord i zi” numrin e sotëm të rasteve të reja me CoVID-19 në Kosovë.
Ai tha se me gjithë këto raste, qeveria po vazhdon avazin e saj të vjetër “krejt për pushtet, asgjë për shëndet”.
“Sot, 2.110 raste të reja me Covid-19 dhe 4 të vdekur. N’dorë t’Zotit! Qeveria e praktikantëve po vazhdon me avazin e vjetër; krejt për pushtet e asgjë për shëndet! U shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve për humbjen e më të dashurve të tyre si dhe iu uroj shërim sa më të shpejtë të gjithë të infektuarve”, shkroi Zemaj.
Deputeti i LDK-së iu bëri thirrje qytetarëve që të vaksinohen dhe t`i respektojnë rekomandimet e IKSHPK-së.
“Të dashur qytetarë, Edhe pse kjo qeveri tashmë ka dështuar e menaxhimi ka degraduar, kurdo që t’iu vijë mundësia e parë ju lutem VAKSINOHUNI. Në të njëjtën kohë, ne të gjithë duhet të vazhdojmë t’i respektojmë rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike. Mbani maskat! Respektoni distancën! Mbani higjienën!”, përfundoi Zemaj.