Kryeministri Albin Kurti gjatë një takimi sot me ambasadorin e Gjermanisë në Prishtinë Joern Rohde kanë biseduar për çështje të interesit dhe rëndësisë për të dy vendet, bashkëpunimin ekonomik bilateral dhe projektet e përbashkëta sidomos në fushën e zhvillimit ekonomik dhe punësimit.
Në takim po ashtu u bisedua për rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, me theks për Tregun e Përbashkët Rajonal.
Kurti tha se shpresojmë në arritjen e marrëveshjeve në kuadër të Tregut të Përbashkët Rajonal që trajtojnë në mënyrë të barabartë të gjitha shtetet pjesëmarrëse dhe që nxisin zhvillimin dhe demokratizimin e rajonit e prej të cilave qytetarët janë përfituesit final.
Në takim u bisedua edhe për situatën e re me pandeminë COVID-19 pas përhapjes së variantit delta dhe masat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës për luftimin e pandemisë.
Kurti dhe Rohde po ashtu diskutuan rreth samitit të ardhshëm në mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian dhe pritjet e tyre nga ky samit që do të mbahet në tetor të këtij viti në Slloveni.