(E plotësuar 18:51) - Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia pas mbledhje së Qeverisë së Kosovës në një konferencë për medie ka thënë se gati në 99 për qind të rasteve të reja të infektuara me Covid-19 është prezent varianti Delta.
Ai është shprehur se kapacitetet në spitalet e përgjithshme janë të kufizuara, andaj edhe janë të detyruar që të ndërmarrin masa.
“Varianti Delta siç e kemi përmendur mbrëmë, tani është konfirmuar gati në 99 për qind e rasteve të reja. Ka kohë që ne kemi paralajmëruar se një valë e re e pandemisë me këtë variant është e pashmangshme. Gjatë gjithë kohës ne e kemi ditur se vetëm vaksinimi mund të ngadalësoj dhe mund të ndaloj këtë valë. Prandaj i kemi shtuar kapacitetet e vaksinimit dhe brenda një periudhe relativisht të shkurtër kemi arritur të administrojmë gati 650 mijë vaksina duke përfshirë edhe ato që po bëhen sot. Kapacitetet në spitalet tona janë të kufizuara dhe ne po e përsëris, në situatën aktuale jemi të detyruar të ndërmarrim masa që vënë në pah mbi të gjitha shëndetin publik të qytetarëve të republikës”, ka thënë ai.
Poashtu Vitia është shprehur se numri i të vaksinuarve nuk është i mjaftueshëm për të ndalur hovin e variantit Delta, andaj ai ka kërkuar nga qytetarët që të vaksinohen.
“Me variantin Delta as ky numër nuk mjafton që të ndalim hovin e këtij virusi. Na duhen më shumë caktime të termineve dhe vaksinime në mënyrë që të parandalojmë sa më shpejtë shpërndarjen e virusi. Me këtë variant, për shkak të përhapjes shumë të shpejtë, shtimi i numrit të të infektuarve me këtë rritje tani për ilustrim vetëm dy javë pas situatës që ishim me 200 raste, ky numër sot është dhjetëfishuar. Kjo tregon sa i frikshëm është ky variant”, ka shtuar ai.
Kurti: Nuk kemi të vdekur që janë vaksinuar
Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e jashtëzakonshme të Qeverisë ka bërë të ditur se asnjë qytetarë i vaksinuar nuk ka vdekur si pasojë e COVID-19.
Kurti me këtë rast kanë thënë se ka pasur qytetarë të vaksinuar që janë infektuar me virus por që e kanë kaluar shumë më lehtë atë.
“Po e ritheksoj, nuk kemi të vdekur nga variant Delta që paraprakisht janë vaksinuar. Nuk kemi të vdekur nga varianti Delta që paraprakisht janë vaksinuar. Ata që janë vaksinuar po ka raste të tilla që janë infektuar me verzionin Delta, mirëpo e kanë kaluar shumë më kollaj, e në shumicën e rasteve s’ka pas nevojë për kurfarë hospitalizimi të tyre”, ka thënë ai.
Kurti ka kërkuar nga qytetarët që të caktojnë termine e të vaksinohen, duke u shprehur se varianti Delta është i pandalshëm.
“Ftojmë qytetarët të caktojnë termine për vaksinim dhe të vazhdojnë me procesin e vaksinimit sepse variant Delta është i pandalshëm. Në anën tjetër, përkundër asaj se vaksinimi po shkon mirë, e kemi të detyrueshme që të marrim masa të reja të cilat do ta ngadalësojnë ritmin e infeksioneve dhe në këtë mënyrë ta ruajm shëndetin publik. Distanca fizike, maskat e higjiena personale është e domosdoshme por detyrë mbi detyrat për te gjithë neve si qytetarë të përgjegjshëm për qytetarët e Kosovës është vaksinimi. Vaksina ka, mund të zgjidhet lloji i saj vetëm se duhet të merret”, ka shtuar ai.
Qeveria ia vazhdon mandatin Naim Bardiqi
Qeveria e Kosovës ia ka vazhduar mandatin sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Shëndetësisë, Naim Bardiqit.
Në mbledhjen e sotme të Qeverisë, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka thënë se propozimi për vazhdimin e mandatit të Bardiqit bazohet në performancën e tij.
Ai ka thënë se në Ministrinë e Shëndetësisë vërehet se në secilën hallkë të organizimit të administratës është prezenca e përgjegjësisë dhe llogaridhënies së brendshme.
“Propozim vendimi për vazhdimin e mandatit të zotit Naim Bardiqi si sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Shëndetësisë bazohet në performancën e shkëlqyer të tij në të gjitha aspektet e menaxhimit dhe mbikëqyrjes administrative. Doktor Naim Bardiqi ka treguar performancë edhe në menaxhimin dhe mbikëqyrjen e mekanizmave përgjegjës për vaksinim dhe pandeminë në përgjithësi përfshirë koordinimin institucional dhe ndërinstitucional. Ajo që vërehet tani në Ministrinë e Shëndetësisë, në secilën hallke të organizimit të administratës është prezenca e përgjegjësisë dhe llogaridhënies së brendshme”, ka thënë ai.
Vitia është shprehur se riemërimi i Bardiqit në pozitën e sekretarit të përgjithshëm krijon stabilitet dhe qëndrueshmëri institucionale të cilat sipas tij janë jashtëzakonisht të nevojshme në këto momente të menaxhimit me procesin e vaksinimit dhe pandemisë në tërësi.
Kujtojmë që Bardiqi ishte shkarkuar nga pozita e sekretarit kur në krye të Ministrisë së Shëndetësisë ishte Armend Zemaj.
Me të marrë pozitën e ministrit Arben Vitia, ai ishte rikthyer në pozitën e tij.
***
Qeveria e Kosovës ka miratuar masat e reja për mbrojtjen dhe parandalimin nga covid-19.
Masat e reja janë marrë duke u bazyar në sutuatën e rëndë epidemiologjike që është krijuar ditëve të fundit në vendin tonë.
Kosova shënoi edhe sot rekord të rasteve të reja me COVID-19, 2 mijë 110 infektime brenda 24 orëve të fundit. Për të përmirësuar menaxhimin dhe kontrollin e përhapjes së koronavirusit, Ministria e Shëndetësisë do të prezantojë sot masat e reja antiCOVID para kabinetit qeveritar, për të kërkuar dritën e gjelbër për vendosjen e tyre.
Masat e reja:
Të gjithë qytetarët të cilët hyjnë në Republikën e Kosovës, përfshirë edhe ata me leje qëndrimi të përkohshëm ose të përhershëm në Kosovë dhe të cilët vijnë nga vendet me rrezik të lartë, sipas listës zyrtare të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, duhet të kenë test RT-PCR negativ për COVID-19, jo më të vjetër se 72 orë.
Nga kjo pikë përjashtohen:
Qytetarët të cilët hyjnë në Kosovë përmes aeroportit apo përmes pikave kufitare tokësore dhe largohen nga Kosova brenda tre orësh, përmes aeroportit ose pikave kufitare tokësore, me kusht që në hyrje të nënshkruaj deklaratën se do ta lëshojë Kosovën brenda tre orësh.
Qytetarët të cilët punojnë si transportues profesionist (vozitës), me kusht që të respektojnë protokollin për transport ndërkombëtarë për mbrojtje nga COVID-19.
Qytetarët të cilët kalojnë nëpër Kosovë përmes transportit të organizuar me autobus ose me linjë të rregullt ndërkombëtare, transit, me kusht që të nënshkruhet deklarata se do ta lëshojnë territorin e Kosovës brenda pesë orësh.
Diplomatët e huaj, të akredituar në Kosovë, si dhe familjarët e tyre.
Personat që kanë certifikatë të vaksinimit të plotë kundër COVID-19.
Personi me një rezultat pozitiv të testit të antitrupave serologjik –IgG, të lëshuar më së shumti tridhjetë (30) ditë para mbërritjes.
Fëmijët nën moshën 11 vjeçare.
Gratë shtatzëna edhe më tutje lirohen nga obligimi për t’u paraqitur fizikisht në punë. Punëdhënësit publikë apo privat udhëzohen të ju krijojnë mundësinë që të punojnë nga shtëpia.
Bartja e maskës, duke mbuluar hundën dhe gojën do të mbetet obligative në të gjitha rastet, përveç:
Gjatë ecjes në ambient të jashtëm, vetëm;
Gjatë ngasjes së automjetit, vetëm, apo në grup me jo më shumë se katër persona;
Gjatë vrapimit, çiklimit dhe ushtrimeve fizike;
Gjatë ngrënies apo pijes.
Pa maska nuk do të lejoheni të hyni e as të qëndroni brenda institucioneve publike.
Pika përmes të cilës ndalohet organizimi i ekskursioneve dhe shëtitjeve grupore vazhdon të mbetet në fuqi.
Edhe më tej, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve udhëzohet të lirojë të gjithë përfituesit e skemave sociale dhe pensionale, që menaxhohen nga MFPT-ja nga paraqitja e rregullt në zyrat përkatëse për qëllime të evidentimit, siç kërkohet me ligjet përkatëse.
Do të lejohen grumbullimet në hapësira të mbyllura (mbledhje, seminare, trajnime), me kusht që të shfrytëzohet 50% e kapacitetit të hapësirës. Organizatori obligohet të mbaj distancën fizike prej 1 metër në mes të personave dhe pjesëmarrësit të kenë dëshmi se janë vaksinuar dhe testin negativ.
Lejohen grumbullimet në ambiente të jashtme, tubimet masive / shoqërore (festivale, koncerte, etj.) me kusht që të shfrytëzohet 70% e kapacitetit të hapësirës, po ashtu me dëshmi se janë vaksinuar dhe se kanë rezultuar negativ.
Mbajtja e dasmave, fejesave, ahengjeve familjare dhe mbrëmjeve të maturës, lejohet deri në orën 22:30.
Organizimi i dasmave, fejesave, ahengjeve familjare dhe mbrëmjeve të maturës, është i lejuar me kusht që të shfrytëzohet 50% e kapacitetit të hapësirës, por jo më shumë se 150 të ftuar në rastet kur 50% e kapacitetit të hapësirës tejkalon këtë numër.
Distanca në mes të tavolinave duhet të jetë tri metra.
Për mbajtjen e dasmave, fejesave, ahengjeve familjare dhe mbrëmjeve të maturës, obligohet respektimi i udhëzuesit të veçantë për ahengje.
Ndalohet veprimtaria e klubeve të natës në gjithë territorin e Kosovës.
Nga data 20 gusht deri më 10 shtator, nuk do të keni mundësi të hyni në ku mbahen ahengjet (dasma, fejesa, ahengje familjare, etj.), grumbullimet, tubimet masive (festivale, koncerte, etj.), të cilat kanë kapacitet mbi 100 persona, si dhe organizimi i këtyre aktiviteteve, nëse nuk posedoni një nga dëshmitë e mëposhtme:
Pika 21. Certifikatën e vaksinimit për vaksinimin e plotë ose marrjen e një dozë të vaksinës kundër COVID-19;
Testi RT-PCR negativ për COVID-19, jo më i vjetër se 72 orë;
Dëshmi se personi ka kaluar COVID-19 (test RT-PCR pozitiv i lëshuar jo më pak se 21 ditë dhe jo më shumë se 180 ditë ose rezultat pozitiv i testit të antitrupave serologjik –IgG, i lëshuar më së shumti para 30 ditëve;
Test i shpejtë antigjen negativ jo më i vjetër se 48 orë.
Nga 20 gushti deri më 1 shtator, njëra nga këto dëshmi duhet të posedohet nga të gjithë punëtorët në kuadër të bizneseve/aktiviteteve, të cilët janë në kontakt të drejtpërdrejtë me klientët.
Personat përgjegjës të bizneseve/aktiviteteve janë të detyruar të caktojnë një person, i cili do të kontrollojë posedimin e njërës prej këtyre dëshmive.
Shërbimet e gastronomisë lejohen të zhvillojnë aktivitetin e tyre në përputhje me udhëzuesin përkatës. Në hapësirat e mbyllura lejohen deri në deri në 50% e kapacitetit të hapësirës. Në hapësirat e hapura shfrytëzimi deri në 70% e kapacitetit të hapësirës. Sipërfaqja llogaritet për zonën ku shërbehet ushqimi dhe pijet.
Shërbimet e gastronomisë lejohet të zhvillojnë aktivitetin e tyre sipas orarit të tyre të rregullt, në pajtim me nenin 40 të Ligjit Nr. 2004/ 18 për Tregtinë e Brendshme dhe rregulloret përkatëse komunale.
Përgjegjësit e lokaleve duhet të sigurohen që distanca ndërmjet klientëve në tavolina të ndryshme të jetë së paku një (1) metër.
Pjesa e prapme e një karrige, me pjesën e prapme të karriges tjetër duhet jenë në distancë së paku një (1) metër.
Në hapësirat e mbyllura lejohen deri në 4 persona në tavolinë. Në rast se tavolinat janë me të mëdha se dy (2) metra, atëherë parakusht është që të shfrytëzohet hapësira duke respektuar kufizimin prej pesë (5) persona në 10 m2.
Në hapësirat e mbyllura lejohet shërbimi i ushqimit dhe pijeve vetëm për mysafiret që janë të ulur ose duke qëndruar në këmbë në një tavolinë ose në banak.
Në hapësirat e jashtme lejohen deri në gjashtë (6) persona në tavolinë, banak apo në tavolina në këmbë.
Çdo tavolinë duhet të jetë e pajisur me dezinfektues që përmbajnë së paku 60-70% alkool.
Duhet të vendosen udhëzuesit në hapësirat e jashtme të lokaleve lidhur me informimin e klientëve për protokollin e masave kundër COVID-19.
Lejohet veprimtaria e qendrave tregtare sipas udhëzuesit përkatës. Obligohen të gjithë operatorët, të cilët për veprimtari ekonomike e kanë tregtinë me shumicë dhe pakicë, që të përcaktojnë numrin maksimal të klientëve në lokal në të njëjtën kohë sipas rregullit – 1 person për 8 m2. Këta operatorë obligohen të shënojnë në hyrje numrin maksimal të klientëve të lejuar në të njëjtën kohë. Sipërfaqja llogaritet për zonën ku lejohen të qëndrojnë klientët.
Personi përgjegjës i institucionit publik apo privat dhe i operatoreve ekonomikë, obligohet që të ndalojë rreshtimin apo tubimin brenda dhe jashtë ambientit të punës/biznesit, përveç nëse mbahet distancë fizike prej të paktën 1.5 metra nga grupet e tjera të personave.
Operatorët e transportit rrugor të udhëtareve lejohen të punojnë, duke shfrytëzuar kapacitetin e plotë të ulëseve, me kusht që personeli dhe udhëtarët të mbajnë maskën gjatë tërë kohës. Operatorët e transportit nuk mund të ketë më tepër udhëtarë në autobus se sa që posedojnë ulëse.
Në taksi lejohen të udhëtojnë deri në dy udhëtarë.
Teatrot, bibliotekat, orkestrat, galeritë, ansamblet, baleti, kinematë, qendrat rinore, muzetë, qendrat e kulturës me grupe apo institucionet tjera të ngjashme vartëse të MKRS-së apo të Komunave, lejohen të punojnë duke shfrytëzuar 50% të hapësirës/sipërfaqeve të objekteve përkatëse për të gjitha aktivitetet (si gjatë shfaqjeve ashtu edhe gjatë ushtrimeve), me kusht që paraqesin dëshmi për vaksinim dhe se kanë rezultuar negativ në testin për COVID-19.
Lejohet organizimi i garave sportive dhe stërvitjeve përkitazi me protokollet dhe rekomandimet e organizatave botërore për organizimin e ngjarjeve sportive dhe me masat mbrojtëse të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Në aktivitetet garuese në hapësira të mbyllura lejohet prania e shikuesve deri në 15% të kapacitetit të objektit apo hapësirës sportive (salla sportive, pishina, hapësira të tjera të mbyllura) duke respektuar masën e distancës prej 1.5 metra dhe masat tjera mbrojtëse, sipas dëshmive të përcaktuar në pikën 21.
Në aktivitetet garuese në hapësira të jashtme lejohet prania e shikuesve deri në 30% të kapacitetit të objektit, apo hapësirës sportive (stadium, salla sportive, pishina, hapësira të tjera të mbyllura), duke respektuar masën e distancës prej 1.5 metra dhe masat tjera mbrojtëse, sipas dëshmive të përcaktuar në pikën 21 dhe udhëzuesit respektivë.
Organizatorët e garës janë të obliguar të ndërmarrin masat specifike, në përputhshmëri me protokollet ndërkombëtare, për menaxhimin e masës (tifozëve) para, gjatë, dhe pas hyrjes në hapësirën sportive.
Lejohet shfrytëzimi i fitneseve, palestrave dhe të ngjashme për aktivitete individuale rekreative, sipas dëshmive të përcaktuar në pikën 21 dhe udhëzuesit përkatës.
Shfrytëzimi i fitneseve, palestrave dhe të ngjashme bëhet në proporcion 1 klient në 8m2, sipas dëshmive të përcaktuara në pikën 21 dhe udhëzuesit përkatës.
Obligohet vendosja e shenjave informuese dhe dezinfektuesve (apo mjeteve të tjera për pastrimit), në secilën pajisje të fitnesit me qëllimit të vetëdijësimit dhe dezinfektimit të tyre nga secili klient pas përdorimit.