(E plotësuar 16:23) - Ka arritur sot kontingjenti prej 35 mijë e 100 dozash të vaksinës kundër COVID-19, Pfizer/BioNTech, dhuruar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes programit COVAX. Kryeministri Kurti mori pjesë në ceremoninë e pranimit, ku të pranishëm ishin edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett si dhe koordinatorja për Zhvillim e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Ulrika Richardson.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, kryeministri Kurti tha se vendi ynë është mirënjohës dhe falënderues për mbështetjen e vazhdueshme dhe solidaritetin nga të gjithë, e veçanërisht nga miqtë dhe aleatët tanë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Në emër të qeverisë dhe qytetarëve të Kosovës, falënderoj aleancën COVAX dhe të gjithë ata që po dhurojnë në këtë aleancë, për përkrahjen e dhënë në një periudhë të vështirë në mars të këtij viti dhe për vazhdimin e kësaj përkrahje tani që po përballemi me përhapjen eksplozive të variantit Delta të virusit”, veçoi ai.

Deri më tani kemi arritur të vaksinojmë 232 mijë e 993 qytetarë me dozën e dytën, u shpreh më tej kryeministri Kurti, duke thënë se prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 680 mije e 101 doza të vaksinës.
Kryeministri Kurti u zotua se Qeveria e Kosovës do të angazhohet maksimalisht që të përmbushë synimin që brenda vitit të imunizohen 60% të popullatës në grupmoshën e atyre që duhet vaksinuar.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
Të dashur qytetarë,
E nderuara Presidente e Republikës znj. Vjosa Osmani,
I nderuar ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z.Philip Kosnett,
E nderuara Përfaqësuese e Ekipit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, znj. Ulrika Richardson,
E nderuara Drejtore e USAID-it, znj. Zeinah Salahi,
I nderuar Ministër i Shëndetësisë, z. Arben Vitia,
Të nderuar të pranishëm,
Në një periudhë të rëndë për botën, vetëm solidariteti mes njerëzve e shteteve e mundëson triumfin në përballje me një armik të përbashkët për gjithë njerëzimin.
Më 28 mars të këtij viti, në një kohë të vështirë në përballje me virusin, ne ishim në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, për të pranuar kontingjentin e parë të vaksinave në Kosovë, donacion nga COVAX.
Tani, kur po përballemi me valën më dramatike të virusit Corona, me variantin Delta, po pranojmë kontingjentin e parë prej 35.100 doza të vaksinave nga 500 mijë sosh sa do të vijnë, donacion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Vendi ynë është mirënjohës dhe falënderues për mbështetjen e vazhdueshme dhe solidaritetin nga të gjithë, e veçanërisht nga miqtë dhe aleatët tanë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në emër të qeverisë dhe qytetarëve të Kosovës, falënderoj aleancën COVAX dhe të gjithë ata që po dhurojnë në këtë aleancë, për përkrahjen e dhënë në një periudhë të vështirë në mars të këtij viti dhe për vazhdimin e kësaj përkrahje tani që po përballemi me përhapjen eksplozive të variantit Delta të virusit.
Gjatë muajve të parë të qeverisjes, ne e vendosëm prioritet menaxhimin e pandemisë, sigurimin e vaksinave dhe përgatitjen e nevojshme dhe profesionale për administrimin e vaksinave.
Me ritmin dhe dinamikën aktuale të vaksinimit, dozat që pranuam sot, do të administrohen brenda një dite e gjysmë.
Pavarësisht se ne kemi filluar më së voni me procesin e vaksinimit për shkak të mungesave që i kemi gjetur, deri më tani kemi arritur të vaksinojmë 232 mijë e 993 qytetarë me dozën e dytën, ndërsa prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 680 mijë e 101 doza të vaksinës.
Në përkrahje të procesit të vaksinimit kundër COVID-19, kemi marrë vendim për angazhimin e 1 mijë e 116 profesionistëve shëndetësorë dhe stafit mbështetës shtesë.
Të dashur qytetarë,
Po përballemi me një pandemi shumë të vështirë, zgjidhja përfundimtare e së cilës është vaksinimi.
Mjekët, infermierët dhe punonjësit shëndetësorë të cilët janë në vijën e parë të frontit, tash e 17 muaj pareshtur janë përkujdesur për shëndetin tonë.
Përkushtimi i tyre i përditshëm dhe sakrifica që po bëjnë në shpëtimin e jetës, na detyron të gjithëve bashkë të angazhohemi maksimalisht që të përmbushim synimin që brenda vitit të imunizohen 60% të popullatës në grupmoshën e atyre që duhet vaksinuar.
Prandaj, le të tregohemi të kujdesshëm dhe të përgjegjshëm për veten dhe njerëzit tonë të afërm, duke respektuar masat dhe duke u vaksinuar. Kjo është rrugëdalja.
Ju lus të gjithëve të mbani maskat, të mbani distancën fizike, të mbani higjienën dhe të shmangni grumbullimet në vendet e mbyllura, në mënyrë që ta ulim numrin e infektimeve të reja, të ruajmë jetën e secilit, të shmangim vdekjet si pasojë e Covid-19.
U jemi mirënjohës të gjithëve që kanë kontribuar e po kontribuojnë për tejkalimin e kësaj krize të rëndë shëndetësore.
Ju faleminderit.

SHBA-ja ia dhuron Kosovës kontingjentin e parë nga mbi gjysmë milion doza të vaksinës Pfizer
Duke e përmbushur zotimin e presidentit Biden për të ndihmuar partnerët anembanë botës në luftën kundër Covid-19, sot, Shtetet e Bashkuara të Amerikës ia dhuruan Kosovës kontingjentin e parë nga 503.100 doza të vaksinës jetëshpëtuese të sigurta dhe shumë efektive të Pfizer, të cilat priten të arrijnë në Kosovë. Kjo paraqet donacionin më të madh të vaksinës kundër Covid-19 që ndonjë vend apo organizatë ia ka dhuruar Kosovës. Me këto doza, qeveria e Kosovës do të ketë mundësi t’i vaksinojë plotësisht dhe të mbrojë qytetarët e saj, duke lëvizur për 20 për qind më afër arritjes së qëllimit të saj të përgjithshëm të vaksinimit.
Dërgesa e sotshme është pjesë e përkushtimit të Presidentit Biden për të ndarë dozat e vaksinës COVID-19 nga furnizimet vendore amerikane për të mbështetur nevojat globale. Pasiqë asnjë vend nuk mund ta mposhtë COVID-19 vetëm, në qershor, Shtetet e Bashkuara fillimisht u përkushtuan për të ndarë 80 milionë doza vaksine me botën. Që nga 3 gushti, ne kemi dhuruar dhe dërguar mbi 110 milion doza në më shumë se 60 vende, dhe ky është vetëm fillimi. Sikurse ka thënë Presidenti Biden: „Po i ndajmë këto doza jo për të siguruar favore apo për të nxjerrë koncesione. Po i ndajmë këto vaksina për të shpëtuar jetë dhe për ta udhëhequr botën që t'i japim fund pandemisë”.
Duke folur gjatë ceremonisë së arritjes së vaksinave, ambasadori Philip S. Kosnett tha: „Vaksinat bëjnë punë vetëm nëse njerëzit vaksinohen. Shumë njerëz ende besojnë se vaksina është e panevojshme ose nëse janë infektuar dhe i kanë mbijetuar Covid-it, që nuk do të sëmuren sërish. Kjo thjeshtë nuk është e vërtetë, veçanërisht në vazhdën e rritjes dramatike të rasteve të shkaktuara nga varianti Delta. Prandaj, ju lutemi, vaksinohuni për të mbrojtur veten, familjet dhe komunitetin tuaj”.
Vaksinat e dhuruara nga SHBA-ja u dorëzuan përmes mekanizmit për Angazhim të avancuar të tregut për lehtësim të Covax-it (COVAX AMC), që është nismë globale në mbështetje të qasjes me mundësi të barabartë në vaksina të sigurta dhe efektive kundër Covid-19. Me kontributin financiar prej 4 miliardë dollarë për Gavi në mbështetje të COVAX, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë donatori më i madh financiar në Covax. Covax-i baskëudhëhiqet nga Koalicioni për gatishmëri dhe inovacion ndaj epidemive (CEPI), Gavi – Aleanca për vaksina dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) së bashku me UNICEF-i si partnerë kryesorë për dërgesa. Me këtë dërgesë, Kosova ka pranuar mbi 700.000 doza përmes COVAX AMC.
Përveç vaksinave, prej fillimit të pandemisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhuruar gati 4 milion dollarë për pajisje mbrojtëse, pajisje mjekësore, grante për mësim përmes internetit, si dhe ndihmë tjetër lidhur me Covid-19 për të ndihmuar shkollat, objektet shëndetësore, familjet dhe komunitetet anembanë 38 komunave të Kosovës. Me ndihmën e sotshme, po vëmë themelet për një Kosovë sovrane, të vetëmjaftueshme dhe të qëndrueshme të së nesërmes; një Kosovë që përqafon përgjegjësitë e saj në vend, por edhe si partnere e barabartë në rajon, brenda Evropës dhe në botë.

Kosova pranon kontigjentin me vaksina nga SHBA, Kosnett: Të bashkuar mund ta mposhtim virusin
Në Kosovë ka mbërritur kontingjenti i parë prej 35 mijë e 100 vaksinash kundër Covid-19, donacion i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ambasadori i ShBA-së Philip Kosnett, tha se vaksinat janë dërguar përmes programit Covax dhe janë pjesë e angazhimit të Shteteve të Bashkuara për të luajtur një rol udhëheqës në luftën për t’i dhënë fund pandemisë kudo në botë.
Ai është zotuar edhe për dhurimin e kontingjenteve të tjera të vaksinave për Kosovën.
“Sa më shumë vaksina është forma e shpëtimit, kudo në botë dhe këto vaksina janë ndihmë për të përballuar me lehtë këtë pandemi. Vaksinimi funksionon vetëm nëse njerëzit vendosin të vaksinohen, vaksina të tjera do të vijnë”, tha Kosnett.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, fillimisht foli për mungesën e vaksinave në Kosovë, duke shpjeguar se ka bërë kërkesë për presidentin amerikan Joe Biden.
Ajo ka ripërsëritur se vaksinimi është akti më patriotik në këtë kohë, duke shtuar se ky donacion dëshmon miqësinë ndërmjet të dy shteteve dhe iu referua fjalës së urtë popullore “Miku i mirë në ditë të vështirë”.
“E kam ditur se Biden do ta ndihmonte dhe morëm përgjigje për mbi 500 mijë vaksina, kontingjenti po e pranojmë sot, edhe të tjerat do të vijë shumë shpejt shpresoj. Kjo dëshmon miqësinë, ‘Miku i mirë shihet në ditë të vështirë’, faleminderit të gjithë atyre që kontribuuan që vaksinat të jenë këtu’. Nuk mjafton vetëm arritja e vaksinave, vaksinimi është akti më patriotik i kësaj kohe, secili duhet të vaksinohet. Kjo është gjëja më e duhur”.
“Vaksinimi është shans për të ngadhënjyer kundër virusit, të shpëtojmë jetë, ta shpëtojmë ekonominë tonë, ta shpëtojmë ekonominë tonë”.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha se këto vaksina të dhuruar do të administrohen për një ditë e gjysmë dhe se brenda vitit do të imunizohen 60% e popullatës.
Ai ka shtuar se Kosova është mirënjohëse për ndihmën e ShBA-së për ta luftuar Covid-19.
“Me 28 mars të këtij viti ne ishim në Aeroport kemi pranuar kontingjenti e parë, tani po pranojmë kontingjentin prej mbi 35 mijë vaksina nga Amerika. Jemi mirënjohës për këtë ndihmë, falënderojë të gjitha që po dhurojnë për përkrahjen e dhënë në një periudhë të vështirë”.
“Me ritmin e vaksinimit dozat e pranuar sot do të administrohen brenda një dite e gjysmë, deri tash janë dhënë mbi 600 mijë vaksina. Brenda vitit do të imunizohen 60% e popullatës. Të tregohemi të kujdesshëm duke respektuar masat dhe të vaksinohemi, kjo është rrugëdalja. Të ruajmë jetën e secilit”.
Koordinatorja për Zhvillim e OKB-së, Ulricke Richardson tha se tashmë varianti Delta po përhapet shpejtë dhe se mënyra më e mirë është vaksinimi për mbrojtje nga pandemia.
