Ish-snajperisti Blerim Latifi, ka publikuar pamje nga fshati Likovc, në të cilin ishte i vendosur Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në vitin 1998. Ai ka thënë se ushtria serbe e gjuante me raketa këtë fshat, duke treguar se ato ishin pamje të tmerrshme, përcjell Bota sot.
Sipas tij, edhe pse kishte dallime ekstreme në armatim mes ushtrisë serbe dhe UÇK-së, askush nuk e mendonte heqjen dorë nga kryengritja çlirimtare.
Postimi i Latifit në Facebook:
Në sfond duken malet e Moknës. Gjatë luftës atje ishte një bazë raketore e ushtrisë serbe dhe gjatë verës së vitit 1998 prej saj e gjuanin me raketa Likovcin, fshatin ku ishte vendosur Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së. Predhat dukeshin qartësisht derisa fluturonin qiellit. Ishin pamje të tmerrshme, sigurisht. Pabarazia në armatim midis ushtrisë serbe dhe UÇK- së ishte ekstreme, por askush nuk e mendonte heqjen dorë nga kryengritja. Kishte ardhur ora finale e historisë: ose do ta hiqnim qafesh përgjithmonë Serbinë ose do të humbnim përgjithmonë të drejtën për të qenë të lirë.