Ministria e Shëndetësisë i ka dërguar një letër Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në të cilën janë listuar 30 qendra ku po zhvillohet vaksinimi i qytetarëve kundër COVID-19, e që më parë janë shfrytëzuar si Qendra të vendvotimit për zgjedhje.
Në mbledhjen e sotme të KQZ-së, kryeshefi i sekretariatit Burim Ahmetaj tha se Ministria e Shëndetësisë ka kërkuar nga KQZ-ja që për organizmin e zgjedhjeve të gjenden lokacione të tjera, pasi që procesi i vaksinimit është jetik për imunizimin e popullsisë.
Ahmetaj: MSh ka kërkuar nga KQZ-ja që mos të organizon zgjedhjet në 30 lokacione
“Ministria e Shëndetësisë ka kërkuar nga KQZ që për organizmin e zgjedhjeve të gjenden lokacione të tjera, sepse në objektet sipas listës është jetike procesi i vaksinimit të imunizimit të popullsisë. Kjo është arsye përse këto lokacione përdoren si qendra të vaksinimit. Sekretariati është në fazën e vlerësimit dhe të shohim se në cilat qendra mund të shfrytëzohen edhe nga Ministria e Shëndetësisë. Mirëpo, janë dy raste të cilat I kemi evidentuar deri më tash, njëra është në komunën e Prishtinës sikurse është salla “1 Tetori” dhe një lokacion tjetër që është në komunën e Klinës”, tha Ahmetaj.
Ndërsa, anëtari i KQZ-së nga LVV, Alim Rama tha se procesi i vaksinimit është i rëndësishëm dhe duhet të gjenden objekte tjera si qendra votimi.
Rama: KQZ duhet t’i zëvendësoj 30 lokacionet ku është duke ndodhur vaksinimi
“Sa i përket kërkesës nga Ministria e Shëndetësisë, duke marrë parasysh rëndësinë e procesit të vaksinimit të gjenden objekte të reja që munden me u shfrytëzuar për procesin zgjedhor”, tha ai.
Në mbledhjen e sotme të KQZ-së ku po diskutohet për aktivitetet e sekretariatit të KQZ-së për zgjedhjet e tetorit, anëtari i KQZ-së, Sami Kurteshi nga LVV ka kërkuar nga kryeshefi i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj të largohet nga mbledhja ose ta vendos maskën.
Kurteshi tha se po ndihet i rrezikuar kur brenda ditës po vdesin 10 qytetarë si pasojë e koronavirusit.
Kurteshi: Vendose maskën ose dil jashtë
“E kam një kërkesë, zotëri Ahmetaj, dhe dy kameramanë vendosni maskat ose dilni jashtë. Edhe zotëri kryesues, asnjë njeri në sallë nuk duhet me qenë pa maskë. Ne s’po e marrim seriozisht, por po vdesin 10 njerëz në ditë. Unë jam shumë i shqetësuar me pa përgjegjësinë e njerëzve me hyrë pa maska”, thekson Kurteshi.
Këtë kërkesë e ka mbështetur edhe kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.
Radoniqi: Askush të mos qëndroj pa maskë
“Në sallë mos të qëndroj askush pa maskë”, tha ai.
Mbledhja e KQZ-së është duke vazhduar diskutimet në bazë të rendit të ditës, ku pritet të shqyrtohen edhe aktivitet e Sekretariatit të KQZ për zgjedhjet e tetorit.