Kryeprokurori i Ferizajt: I dyshuari kryesor në rastin e 18 vjeçares ishte i akuzuar edhe më herët për vrasje

Aktuale

Kryeprokurori i Ferizajt: I dyshuari kryesor në rastin e 18 vjeçares ishte i akuzuar edhe më herët për vrasje

Më: 23 gusht 2021 Në ora: 16:47
Kryeprokurori i Ferizajt Shukri Jashari

Kryeprokurori i Ferizajt Shukri Jashari, në një konferencë për media ka dhënë detaje në lidhje me rastin e vrasjes së vajzës 18 vjeçare me inicialet M.O.

Jashari tha se i dyshuari kryesor në këtë rast D.K i cili është aktualisht në arrati ka qenë i akuzuar edhe më herët për vrasje.

Ai theksoi se edhe personi i arrestuar ka një aktakuzë për tentim-vrasje.

“Sa i përket personit me incialet D.K, ky është i njohur edhe për policinë dhe prokurorinë. Ai i ka një numër jashtëzakonisht të madh të rasteve, mirëpo të gjitha rastet i ka të mbyllura. Ka qenë i dyshuar dhe i akuzuar edhe për vrasje mirëpo edhe për raste të natyrave të ndryshme penale”.

“Ndërsa sa i përket personit të dytë. Është e vërtetë se edhe personi i dytë me incialet A.S, është ngritur një aktakuzë qysh në vitin 2013. Akoma nuk është mbajtur shqyrtimi i kësaj vepre penale. Shqyrtimi pritet të mbahet në muajin shtator të këtij viti”.

Kryeprokurori i Ferizajt u pyet se a kishte informacione organi i akuzës së viktima po bashkëjetonte me forcë me të dyshuarin kryesor.

Ai tha se nuk ka informacione se vajza po bashkëjetonte me forcë.

“Këtë fakt ju që po e potenconi nuk kemi pasur të paraqitur ndonjë rast që ajo ka qenë duke bashkëjetuar me forcë”.

Shukri Jashari tha se akoma nuk dihen shkaqet e vdekjes së 18 vjeçares.

” Nuk dihen shkaqet e vdekjes. Është bërë raporti i autopsisë dhe ne nuk e kemi pranuar akoma për të përcaktuar se cili ishte shkaku i vdekjes”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat