Publicisti dhe ish gazetari i luftës, Rexhep Shahu me anë të një shkrimi të titulluar “Më fal gjeneral, të kam gënjyer...” ka folur për numrin e ushtarëve që kishte Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Me këtë shkrim ai i ka reaguar ndaj gjeneralit Kudusi Lame dhe të tjerëve që sipas tij mashtruan paslufte.
Shahu ka thënë se për t`u mburrur para Serbisë është detyruar të raportoj rrejshëm për numrin e madh të ushtarëve të UÇK-së.
“Që nga vjeshta 1997 e në vijimësi gjatë 1998 jepja përditë lajme me UÇK në Radio Kukësi, shtoja ushtare përditë. Thosha sot hynë 16 mije trupa. Sot UÇK vrau 9 serbë. Sot erdhën 5 mije shqiptare nga perëndimi dhe hynë në Kosovë... Sot shqiptarët dogjën flamurin serb në Shadërvan në Prizren gjate një proteste madhështore... E bëra UÇK 60 mije trupa. E thosha shpesh këtë rrenë për të treguar se nëse Serbia ka në Kosove 50 mijë ushtarë e policë, ne kemi UÇK me 60 mije trupa të UÇK brenda në Kosove me tendencë rrijte, e nja 200 mije ushtarë e komandantë refugjatë... Zbukuroja shumë dhe përditë”, shkroi ai.
E sipas tij, gjenerali mësoi përmendësh këtë “rrenë” duke proklamuar edhe sot “të vërtetën e UÇK-së..
“Gjenerali e mësoi përmendësh rrenën time dhe sot e gjithë ditën rren për hava e jo për tokë, bën be e rrufe ne gazeta, libra, radio e televizione në Kosove, se kjo është e vërteta e UÇK. Kërkoj ndjesë gjeneral. Por UÇK edhe me hatër, edhe me shto ujë e shto miell, nuk e ka kaluar kurrë numrin 16 mije ushtarë me hatër”, shkroi Shahu.
Sipas tij, çdo numër shtesë mbi këtë shifër është biznes votash, është minierë eurosh për komandantët e pasluftës...
“Është shëmtim i shqiptarit, shëmtim i Kosovës, i sakrificës së saj, është tallja me e rëndë që i bëhet Kosovës sa edhe Serbisë i vjen turp... Herë të tjera do të rrëfej për gënjeshtra të tjera...”, përfundoi ai.