Gjatë ditës së sotme janë publikuar pamje ekskluzive nga Pallati i Drejtësisë ku një person tenton të arratiset, por që kapet shpejt nga Policia e Kosovës.
Media mëson se personi që ka tentuar arratisjen është Ujup Neziri.
I njëjti ka qenë i kërkuar me dyshimet për dhunë në familje. Lajmi për Indeksonline e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.
“Drejtoria Rajonale e Policisë Prishtinë, ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme policore për të siguruar rendin dhe qetësinë publike në rajonin e Prishtinës, dhe kjo duke punuar me vendosmëri dhe përkushtim për kapjen e personave që dyshohen të jenë të implikuar në veprimtari kriminale, dokumentimin ligjor të veprimeve të tyre kriminale si dhe vënien e tyre para drejtësisë.
Si rrjedhojë e këtyre angazhimeve, sot nga hetuesit policor të stacionit të Podujevës, në afërsi të Pallatit të Drejtësisë, përkundër tentativave për ikje, është arrestuar një person i dyshuar.
Personi i dyshuar:
U. N, mashkull, shtetas i Republikës së Kosovës, ka qenë në kërkim nga ana e policisë, për një rast të dhunës në familje që ka ndodhur me datën 21.08.2021, në fshatin Bervenik të Podujevës.
I njëjti me rekomandim të prokurorit të shtetit është dërguar në qendrën e mbajtjes, për veprën dhunë në familje” thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës