Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, që në zgjedhjet lokale të tetorit, bashkë me VV’në, synon ta marrë mandatin e plotë në krye të kësaj komune, së fundi ka patur një takim në kafene me një figurë të rëndësishme të LDK-së në Podujevë.
Bulliqi shihet i shoqëruar nga Hamdi Jaha, ish-drejtor komunal në Podujevë, gjatë qeverisjes së Agim Veliut me këtë komunë.
Madje, Jaha konsiderohej edhe njeri i afërt dhe me ndikim tek ish-kryetari Veliu. Gjithashtu, Jaha është në mesin e 131 anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së dhe kishte kandiduar për deputet në vitin 2019.
Megjithatë Jaha, pas dorëheqjes së Agim Veliut nga komuna e Podujevës, ishte shkruar nga Drejtoria e Urbanizmit në komunë, me vendim të ushtruesit të detyrës së kryetarit Nexhmi Rudari.
Në fotografinë me Jahen dhe Bulliqin shihet edhe biznesmeni llapjan Ditar Hoti, vëllai i ish-deputetit të LDK-së Visar Hoti, gjithashtu pjesë e anëtarësisë së Këshillat të Përgjithshëm të LDK-së.
Shpetim Bulliqi ka refuzuar të flas rreth takimit dhe nëse Jaha i ka ofruar mbështetje atij në kandidaturën për kryetar të Podujevës.
“Mos bo pyetje palidhje. Nuk është punë e juaja me kënd rri unë”, tha kryetari i Podujevës, njëherit kandidati i VV-së për Podujevë në zgjedhjet e 17 tetorit 2021.
Ndryshe, Shpejtim Bulliqi i VV-së, në garën për Podujevën pretendet kryesor parashihet ta ketë kandidatin e LDK-së për kryetar të kësaj komune, Ekrem Hyseni.
Në takimin me degën e LDK-së në Podujevë, kur kryetari Lumir Abdixhiku e prezantoi Hysenin para kryesisë së degës në këtë komunë, nuk ishte parë të ketë qenë prezent ish-kryetari i Podujevës, Agim Veliu, ndonëse i njëjti konsiderohet ende figurë e rëndësishme për partinë në rajonin e Llapit.
Gjithashtu, në fotografitë që janë shpërndarë në facebook nuk shihet as Hamdi Jaha të këtë marrë pjesë në këtë takim të 18 gushtit në degën e LDK-së në Podujevë.