Botuesi i gazetës kombëtare Xhevdet Mazrekaj, ka thënë se një nga udhëheqësit e Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK) Xhavit Haliti, i ka dhënë një milion franga të partisë, me fajde.
Mazrekaj, përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, i ka kërkuar Halitit, që të flasë për “veprimtarinë ilegale”, me të cilën sipas tij, merrej ai, si një nga kokat e ish-LPK-së.
Mazrekaj ka thënë se e di se te kush i kishte dhënë këto para me fajde deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, por ka kërkuar nga ai që të tregojë se sa “persona të tjerë e dinë për miliona të tjera, të dhëna në këtë formë”.
Botuesi i gazetës “Bota sot” ka treguar se Haliti kishte tentuar ta përdorte atë si ndërmjetësues te një person i caktuar për ta marrë borxhin.
Postimi i plotë i Mazrekajt në Facebook:
Unë e di Xhavit se ti një milion CHF të partisë i ke dhënë me fajde
Xhavit Haliti, para se të na tregosh filma e trillime për luftën e UÇK-së, do të kishte qenë më mirë të na flasësh për veprimtarinë ilegale me të cilën merreshe si një nga kokat e ish-LPK-së.
Unë e di Xhavit se ti një milion CHF të partisë i ke dhënë me fajde.
Unë e di edhe te kush i ke dhënë Xhavit. Por, a na tregon edhe sa persona të tjerë dinë për miliona të tjera, që i ke dhënë në këtë formë.
A të kujtohet kur vije në zyrën time në Cyrih, para lufte e para se të ekzistonte “Bota sot” dhe më tregoje se si borxhlinjtë nuk po t`i kthejnë paratë.
Më pate thënë se po detyroheshe t`ua dërgoje njerëzit tek dera.
Madje, edhe mua tentove të më përdorësh si ndërmjetësues tek një person i caktuar (që e njohim të dy) për ta marrë borxhin!
Xhavit, unë e di se anëtarësia e gjerë e LPK-së kanë qenë kombëtarisht në rregull. Madje, njoh familje të shumta patriotike, ndër ta edhe të afërm të mi që kanë qenë me LPK-në.
Por, fatkeqësisht Xhavit, këta atdhetarë të LPK-së, udhëheqësit i kanë pasur nën kontrollin e UDB-së.
Xhavit, na thuaj a kanë qenë në dijeni hierarkia e partisë për biznesin e ndaluar të LPK-së me fajde?
A e dinin Thaçi e Veseli se paratë e LPK-së jepeshin me fajde?
Unë mendoj që rrethi i ngushtë e kanë ditur, por ty Xhavit nuk kanë guxuar as të të pyesin për këtë.
Si i regjistroje të hyrat në atë kohë Xhavit? Kur ia ke dhënë dikujt gjysmë milioni me fajde, trego a i ke marrë nga banka apo i ke pasur kesh?
Trego si i ke deponuar në bankë paratë që t`i kanë kthyer borxhlinjtë?
Si i ke arsyetuar ato, kur dihet se në Zvicër e ke pasur statusin e azilantit?
Dihet se për një azilant, këto janë shuma të mëdha për t`u deponuar apo për t`u tërhequr nga banka.
A e ke bërë këtë veprim në emër të LPK-së apo i ke dërguar për t`i ruajtur në ish-Jugosllavinë e atëhershme?
Këto duhet t`i tregosh Xhavit, populli ka të drejtë ta dijë se kush në të vërtetë ishe!