(E plotësuar 12:56) - Protestuesit kanë hedhur ngjyrë të kuqe në drejtim të Qeverisë së Kosovës gjatë marshit kundër vrasjes së grave.
Të njëjtën e kanë bërë edhe dje në Ferizaj ku ngjyrë hodhën në drejtim të Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë.
***
“Krejt vrasësit e grave po ju dalin recidivista”, “Mos i lëshoni kriminelët me procedurë të rregullt”, “Jeta e grave hajgare për shtetin”, “Kjo Ministri i ka duart me gjak”, “Drejtësi për gratë e vrara”, janë vetëm disa nga thirrjet që po bëhen në marshin protestues që ka filluar në ora 12:00 para objektit të Ministrisë së Drejtësisë.
Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist-QIKA, Rrjeti i Grave të Kosovës, Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut dhe Qendra Kosovare për Studime Gjinore, janë organizatorët e këtij marshi, pas vrasjes mizore të 18-vjeçares nga Ferizaj, Marigona Osmani.
Marshi i cili ka filluar është planifikuar të vazhdojë nga Ministria e Drejtësisë, tek ajo e Punëve të Brendshme dhe përfunduar pranë Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Pasditen e së dielës, më 22 gusht 2021, para Qendrës së Emergjencës në Ferizaj, u la pa shenja jete 18-vjeçarja, Marigona Osmani, nga Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu.
Të dy u arrestuan më vonë, njëri pas disa orëve e tjetri pas dy ditëve, në të njëjtën kohë kur qytetarë të shumtë po protestonin duke kërkuar dënimin maksimal për fajtorin.
Vrasja që tronditi Kosovën e më gjerë, po hetohet nga prokurorët e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, teksa detaje nga akti mizor po dalin nga momenti në moment.
Marigonës iu dha lamtumira e fundit dje më 24 gusht, në varrezat e Ferizajt.
***
Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist-QIKA, Rrjeti i Grave të Kosovës, Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut dhe Qendra Kosovare për Studime Gjinore, do të organizojnë marsh protestues në mbrojtje të grave.
Marshi protestues fillon nga Ministria e Drejtësisë, për të vazhduar tek ajo e Punëve të Brendshme dhe përfunduar pranë Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Në njoftimin e përbashkët të këtyre organizatave thuhet se vrasja makabre që ndodhi në Ferizaj javën që lamë pas, na e tregoi edhe një herë qartazi se jeta e grave dhe vajzave në Kosovë është në rrezik të vazhdueshëm.
“Ky ishte edhe një rast tjetër i femicidit. Edhe një vrasje tjetër që vjen për shkak të patriarkalitetit vrasës, të rrënjosur në të gjitha institucionet publike e private që jetën dhe trupin e vajzave e grave e shohin si pronë të burrave”, thuhet ndër të tjera në njoftim.
Marshi pritet të fillojë në ora 12:00.