Prokuroria Themelore në Ferizaj reagon ashpër ndaj Ministrisë së Punëve të Brendshme për rastin e Krivaqës

Aktuale

Prokuroria Themelore në Ferizaj reagon ashpër ndaj Ministrisë së Punëve të Brendshme për rastin e Krivaqës

Më: 26 gusht 2021 Në ora: 14:18
Prokuroria Themelore në Ferizaj

Prokuroria Themelore në Ferizaj, reagon ndaj deklaratave të Ministrit të Punëve të Brendshme, të publikuara në media, me titull “Sveçla: Prokuroria dhe gjykatat u treguan të papërgjegjshme, policia e arrestoi 135 herë”.

Këto deklarata janë të paqëndrueshme, shfaqin mosnjohuri elementare profesionale, janë krejtësisht tendencioze dhe kanë për qëllim dezinformimin dhe manipulimin e opinionit për përfitime politike.

Për dijeninë e Ministrit të Punëve të Brendshme, Prokuroria është organ kushtetues ndjekës dhe kompetencat e ndara duhet t’i dallojë dhe aq më shumë edhe t’i kuptojë. 

Po ashtu ia bëjmë me dije se Prokuroria Themelore në Ferizaj çdo herë ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore ndaj të pandehurit D.K dhe se në të gjitha rastet ndaj tij ka ngritur aktakuza dhe të njëjtat i ka proceduar në Gjykatën Themelore në Ferizaj.

Andaj, ju bëjmë thirrje bartësve të institucioneve ekzekutive që të përmbahen nga çfarëdolloj deklarimi i pamatur, i pakonfirmuar dhe tendencioz, sepse kjo qasje nuk iu shërben as atyre dhe as të vërtetës faktike. ​

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat