Gërvalla “merr në mbrojtje” Vitinë që ia kërkuan dorëheqjen: Kjo është rrugëdalja e vetme

Aktuale

Gërvalla “merr në mbrojtje” Vitinë që ia kërkuan dorëheqjen: Kjo është rrugëdalja e vetme

Nga: A.Zh Më: 26 gusht 2021 Në ora: 23:28
Donika Gërvalla dhe Arben Vitia

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës Donika Gërvalla, ka lavdëruar ministrin e Shëndetësisë Arben Vitia, lidhur me menaxhimin e situatës me Koronavirus.

Ajo ka thënë se “e heq kapelën” para kolegut të saj, pasi ai, sipas saj, menaxhoi në mënyrë shembullore sfidat, me të cilat u ballafaqua Kosova gjatë pandemisë, përcjell Bota sot.

Duke folur për rritjen e rasteve të reja, Gërvalla ka thënë se shtrëngimi i masave dhe përshpejtimi i vaksinimit janë rrugëdalja e vetme.

Ajo është shprehur e bindur se edhe kjo sfidë do të kalohet.

Postimi i saj në Facebook:

Heq kapelën para kolegut tim, Arben Vitia.

Me përkushtimin, profesionalizmin, zellin, modestinë dhe qetësinë që e karakterizojnë, Arben Vitia menaxhoi në mënyrë shembullore sfidat me të cilat u ballafaqua Kosova gjatë pandemisë. Shumë nga afër i kam përcjell betejat e tij të shumta, të vogla dhe të mëdha, në Kosovë dhe jashtë saj, për sigurimin e vaksinave kaq të nevojshme për Kosovën.

Më 22 mars 2021 patëm trashëguar nga qeveria paraprake jo vetëm 0 vaksina, por edhe 0 kontrata, ndërkohë që shtetet e tjera shumicën e kontratave i kishin lidhur që në vjeshtën dhe dimrin e vitit të kaluar. Me ndihmën fillimisht të partnerëve ndërkombëtarë dhe më pas me lidhjen e kontratës direkte me kompaninë Pfizer, edhe në Kosovë, edhe pse me mjaft vonesë, arritën më në fund vaksinat dhe vaksinimi filloi në masë. Ndërkohë janë dhënë mbi treçerek milionë vaksina.

Varianti i ri i virusit dhe rritja e madhe e rasteve të reja e ka vënë të gjithë botën para një sfide. Numri i rasteve tragjike po na trondit të gjithëve çdo ditë e më tepër. Përvoja edhe e shteteve të tjera tregon se shtrëngimi i masave dhe përshpejtimi i vaksinimit janë rrugëdalja e vetme.

E sigurt që edhe këtë sfidë do ta kalojmë së bashku. Kemi edhe kaq shumë punë para vetes.

Vitia është kritikuar shumë nga opozita dhe shoqëria civile, pas rritjes së numrit të rasteve tragjike në vend, si pasojë e Covid-19. Atij madje i është kërkuar dorëheqja.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat