Të hënën nga SHBA vijnë në Kosovë automjetet ushtarake të blinduara

Aktuale

Të hënën nga SHBA vijnë në Kosovë automjetet ushtarake të blinduara

Më: 27 gusht 2021 Në ora: 11:15
Armend Mehaj

Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i FSK-së bën të ditur se të hënën mbahet ceremonia e pranim-dorëzimit të automjeteve ushtarake të blinduara, të tipit  M1117 ASV (Armored Security Vehicle), donacion i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ceremonia do të mbahet në Kazermën “Adem Jashari”, të hënën, më datë 30 gusht 2021, nga ora 11:00.

Me këtë rast, do të marrin pjesë presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.

Gjithashtu, në këtë ceremoni do të marrin pjesë edhe autoritete të larta ushtarake civile vendore dhe ndërkombëtare.

Ndryshe, ditë më parë ministri Mehaj ka bërë të ditur se automjete të blinduara taktike, të kompletuara me platformën e integruar të armatimit dhe pajisjet e nevojshme për përmbushjen e misionit, do të jenë sistem shumë i rëndësishëm i kapaciteteve tona ushtarake.

“Një ndër objektivat e mi operacional afatshkurtër është forcimi i kapaciteteve ushtarake për realizimin e operacioneve mbrojtëse dhe  operacioneve ndërkombëtare paqeruajtëse dhe stabilitetit.

Karakteristikat e larta teknike dhe taktike dhe lëvizshmëria e jashtëzakonshme e tyre, siguron mbrojtje shumë të lartë balistike, ndaj minave si dhe rritje të kapacitetit të ngarkesës dhe vëllim të brendshëm.

Bazuar në doktrinën tonë të operacioneve këto automjete sigurojnë performancë të jashtëzakonshme në gamë të gjerë të terreneve sfiduese dhe kushteve klimatike”, kishte njoftuar ministri. 

Image
comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat