Trembëdhjetë fëmijë të moshave nga tre muaj deri në 16 vjeç, janë duke u trajtuar nga sëmundja COVID-19 në Klinikën e Pediatrisë në Prishtinë, thotë ushtruesja e detyrës se drejtoreshës se kësaj klinike, Violeta Grajqevci.
Në mesin e tyre, në këtë qendër janë duke u trajtuar edhe tre foshnje të moshës nën tre muajshe.
Grajqevci tregon se vetëm gjatë 24 orëve të fundit, 17 fëmijë janë paraqitur për tu kontrolluar në Klinikën e Pediatrisë, kurse tre raste kanë qenë për hospitalizim.
“Vetëm gjatë muajit gusht, në Klinikën e Pediatrisë, janë trajtuar 36 fëmijë, kurse për gjashtë muajt e parë të këtij viti(janar-qershor) në këtë klinikë kanë qenë 67 fëmijë”, tha Grajçevci.
Ajo tha që nga paraqitja e rasteve të para me COVID -19, në muajin mars të vitit të kaluar, dy fëmijë kanë humbur betejën me këtë sëmundje.