(E plotësuar 19:45) - Ministri Vitia: Po presim donacion prej 500 mijë vaksina nga SHBA
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se sa i përket vaksinës AstraZeneca janë të furnizuar mirë. Ndërsa, sa i përket me Pfizer, ai ka thënë se çdo javë një numër i caktuar i dozave vijnë në Kosovë.
“Ne po presim donacion prej 500 mijë vaksina nga SHBA, një pjesë ka ardhur para disa ditëve ndërkaq pjesa tjetër do të vijë në ditët në vazhdim. Mjekët e infermierët janë të stërngarkuar, prandaj kemi kërkuar punësimin e mbi 1000 punëtorëve shëndetësorë”.
Tutje, Vitia tha se varianti Delta i virusit është variant tepër i rrezikshëm dhe shpërndahet më shpejtë se gripi sezonal.
“Janë disa faktorë që sot kemi pasur këtë numër të rasteve, nga ajo që u tha prej imunitetit pas marrjes së vaksinës, dhe tjetra që është virusi Delta, një variant i rrezikshëm që shpërndahet lehtë”.
Tutje ai tha se numri i hospitalizimeve do vazhdojë të rritet e ashtu edhe rastet.
“Përveç stafit shëndetësor që kemi shtuar, ne kemi vendosur që të rrisim kapacitetin prej 420 mjekëve dhe infermierëve që do t’i hynë në ndihmë komunave dhe të përforcohet mjekimi lokal”, theksoi Vitia.
Kurti: Ata që marrin vaksinën të kenë kujdes për dy javë, edhe ata e bartin virusin
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë në konferencën për medie se është problematike rritja e rasteve me Covid-19 në vend ndërkohë që ka bërë thirrje për kujdes.
Ai ka thënë se fakti që një qytetar ka marrë një dozë të vaksinës, nuk do të thotë se kujdesi i tij duhet të bie.
Kurti po ashtu ka thënë se qytetarët duhet t’i besojnë edhe vaksinën AstraZeneca, për të cilën thotë se ka me bollëk në krahasim me atë Pfizer të cilët qytetarët po e besojnë më shumë.
“Fakti që dikush është i vaksinuar ndonëse është i mbrojtur nuk e zvogëluar bartjen e virusit., bartës dhe shpërndarës mund të jesh edhe i vaksinuar. Një lloj disipline që duhet të jetë dy herë dy jave për qytetarët e republikës. I bëj thirrje të gjithë qytetarëve. Pas vaksinimit. Dy javë duhet të ketë kujdes maksimal. Nuk funksionon ashtu që të marrësh vaksinen dhe të jesh totalisht i pakujdesshëm. Në bazë të dhënave që kemi marrë është një numër i madh i qytetarëve që pasi kanë marrë njërën vaksinë nuk e kanë pasur disiplinën e duhur dy javore.
Problemi tjetër që kemi është se kemi shumë vaksina të mbetura të llojit AstraZeneca ndërkohë që kemi pak të atyre Pfizer. Unë dhe ministrat kemi marrë dy doza Astra Zeneca dhe ajo nuk qëndron aspak prapa vaksinës tjetër. Inkurajoj qytetarët që të marrin edhe këtë vaksinë pasi është shumë e sigurtë. Varianti Delta është problematik dhe është duke u shpërndarë me të madhe. 0.81% kanë qenë të vaksinuar së paku me një dozë. Prej fillimit të muajit deri pardje. Kemi dhjetëfishim të rasteve të atyre që janë infektuar me Covid”, shtoi ai.
Kryeministri Kurti bën thirrje që qytetarët të marrin vaksinën AstraZeneca
Kryeministri Albin Kurti në konferencën për media ka bërë të ditur se aktualisht ka më tepër vaksina Astrazeneca, se sa vaksina Pfizer, ku kjo e fundit po merret më tepër nga qytetarët.
Ai ka bërë thirrje që qytetarët mos të fokusohen vetëm tek vaksina Pfizer, por të marrin edhe Astrazenecën, pasi sipas tij, nga disa studime thuhet se këto dy vaksina pak dallojnë nga njëra-tjerta.
Madje, Kurti thotë se ai vetë e ka marrë vaksinën Astrazeneca.
Andaj bën thirrje që qytetarët të vaksinohen sa më parë dhe bën apel që të ruajnë vetën dhe të tjerët edhe 14 apo 10 ditë pas vaksinën derisa të bën efektin e vetë.
Kurti: Do të gjashtëfishojmë numrin e inspektorëve dhe do zgjasim orarin e punës së policisë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë të thirrur pas mbledhjes urgjente me Këshillin e Sigurisë Kombëtare për shkak të numrit enorm të vdekjeve si shkak i koronavirusit, ka thënë se do të punësojë edhe 85 inspektorë të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë dhe do zgjasë orarin e policisë nga 8 në 12 orë.
Kurti ka thënë se do të jenë të pakompromis në zbatimin e masave për parandalimin e transmetimit të koronavirusit.
“Ne do të bëjmë gjashtëfishimit e inspektorëve të AUV-it, atyre 17 sa janë do t’ia shtojmë edhe 85 të tjerë. Merreni me mend, e kemi AUV-in, siç e kemi gjetur me 17 inspektorë gjithsej, që i bie as gjysmë inspektori për komunë. Orari i punës së policisë bëhet tash e tutje me ndërrime 12 orëshe, në vend të 8-orëshe”, ka thënë ai.
“Do të ketë zbatim të pakompromis të masave, inspektorët dhe policia hyjnë në fazë të re. Ne do të themelojmë Komitetin për menaxhimin dhe parandalimin e përhapjes së Covid-19”, ka shtuar tutje kryeministri.
***
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është deklaruar pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, të mbajtur pas situatës së krijuar me pandeminë në vend.
Kurti u shpreh para të pranishmëve, se varianti Delta po del të jetë më i rrezikshëm, dhe për të shmangur infektimin, do të shqiptohen gjoba rigoroze.
”Natyra e përhapjes së këtij virusi në këtë variant është eksplozive. Dje morëm një vendim për disa masa kufizuese, megjithatë është brengosëse shkalla e respektimit të tyre”.
”Andaj në vijim do të shqiptojmë gjoba për këdo që shkel masat. Dhe inspektorët do të shtojmë për mbikëqyrje”.
”Për t’i zbatuar masat me sukses, për ta pasur shtetin në nivel të detyrës, do ta gjashtëfishojmë stafin e inspektorëve”.
***
Ka filluar mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, e paralajmëruar nga kryeministri Kurti.
Mbledhja pritet të bëhet për të diskutuar për situatën e krijuar me COVID-19, ku vetëm gjatë 24 orëve të fundit kanë vdekur 36 persona si pasojë e tij.
Pas mbledhjes do të ketë konferencë për media.
***
Mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Kosovës, do të mbahet nga ora 17:00.
Kështu ka njoftuar Zyra e kryeministrit të Kosovës, përcjell Bota sot.
Ndërsa, nga ora 19:00, do të mbahet mbledhja e Qeverisë së Kosovës.
Kryeministri Albin Kurti, ka anuluar vizitën e tij në Austri, pas rritjes së numrit të viktimave dhe të infektuarve me Koronavirus në vend.
Kurti ishte i ftuar për pjesëmarrje në Forumin Evropian Alpbach 2021, në Alpbach të Austrisë./BS