VOA: Mbërrin në Kosovë avioni me grupin e parë të qytetarëve afganë

Aktuale

VOA: Mbërrin në Kosovë avioni me grupin e parë të qytetarëve afganë

Më: 29 gusht 2021 Në ora: 21:58
Foto nga vendi i ngjarjes

Grupi i qytetarëve afganë prej 111 persona që do të strehohen përkohësisht në Kosovë mbërriti në aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës, pak minuta pas orës 20:00 të ditës së diele.

Autoritetet thanë se shumica e afganëve që kanë mbërritur në Kosovë janë gra, fëmijë dhe pleq dhe janë familjarë të kontraktorëve që kanë punuar për misionin e NATO-s.

Pas mbërritjes, grupi i qytetarëve afganë po qëndron fillimisht në terminalin e vjetër të aeroportit të Prishtinës, ku po iu ofrohet asistenca mjekësore dhe po testohen për COVID-19.

Autoritetet thanë se qytetarët e parë afganë pritet të strehohen në një kamp që është përdorur nga një kompani private që gjendet në afërsi të kampit “Bondsteel” të ushtrisë amerikane në Kosovë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sfeçla tha se ende nuk është përcaktuar saktë numri i qytetarëve afganë që do të strehohen në Kosovë por sipas tij nuk do të jetë i madh dhe do të vlerësohen kapacitetet e vendit.

“Fluturimet e ardhshme priten të ndodhin qysh nesër, tani kemi konfirmimet e radhës për aterimet e ardhshme, është çështje e organizimit të aleatëve tanë për sa i takon fluturimeve apo nisjes së avionëve për në kosovë”, tha zoti Sfeçla.

Në aeroportin e Prishtinës, qytetarët afganë u pritën nga presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe ambasadori amerikan në Prishtinë Philip Kosnett.

“Ne sot para të gjithë atyre treguam se i kemi hapur jo vetëm dyert por edhe zemrat tona sepse si njerëz që kemi qenë viktima të pushtetit gjenocidial e kuptojmë shumë mirë se çka do të thotë të detyrohesh të largohesh nga shtëpia jote prandaj ne jemi krenar që qëndrojmë pranë partnerëve tanë dhe kontribuojmë në një përpjekje të gjithë këtye partnerëve nga SHBA-të deri te shteti i fundit i NATO-s në mënyrë që kjo tragjedi njerëzore të pakësohet dhe që ata që vijnë këtu në Kosovë të ndihen që më në fund janë të sigurtë”, tha presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

“Është nder për neve, është nder për mua që kemi mundësinë t’i ndihmojmë këta refugjatë sikurse të gjithë popujt dhe qytetarët tjerë në botë e meritojnë të kenë të drejta dhe liri. Kur është në pyetje një çështje humanitare, kur është puna te partnerët dhe aleatët tanë siç janë Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja atëherë nuk bëhet pyetja pse por ne themi vetëm si. Pra të gjitha çështjet që i diskutojmë janë vetëm të natyrës teknike e logjistike se si këta refugjatë të kalojnë sa më lehtë në vijim pas një konflikti që e lan pas në atdheun e tyre”, tha kryeministri. Albin Kurti.

Më 16 gusht, qeveria e Kosovës ka miratuar kërkesën “për dhënien e mbrojtjes së përkohshme dhe të menjëhershme personave të rrezikuar nga konflikti i brendshëm në Afganistan, të cilët janë në proces të aplikimit për Viza të Veçanta Imigruese (SIV) - të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfshirë familjet e tyre”.

Shtetet e Bashkuara kërkuan nga Kosova dhe Shqipëria të pranojnë një numër afganësh, që kanë punuar me forcat amerikane, të cilët ndjehen të frikësuar nga hakmarrja e talebanëve, që morën nën kontroll vendin pas tërheqjes së trupave të huaja.​/VOA

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat