Kryeministri Albin Kurti i ka dërguar telegram ngushëllimi familjes së Kolë Berisha, i cili vdiq një ditë më parë.
Në telegramin ngushëllues, kryeministri ka thënë se e ka pranuar me pikëllim të thellë lajmin për ndarjen nga jeta të ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha.
“Berisha ishte nga ata atdhetarët fjalëpakë, por të pathyeshëm dhe të pandalshëm në luftën e përbashkët për realizimin e aspiratave tona kombëtare dhe të projektit për Kosovën e pavarur”, ka thënë Kurti.
Ai ka theksuar se kontributi dhe angazhimi i Kolë Berishës për ndërtimin e shtetësisë dhe të një shoqërie demokratike, do të kujtohet e respektohet ndër breza.
“Në emrin tim personal dhe në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, pranoni ngushëllimet e mia më të sinqerta për këtë humbje të madhe Tuajën dhe të popullit të Kosovës”, ka përmbyllur kryeministri Kurti telegramin ngushëllues dërguar familjes Berisha.