Kryetari i Komunës së Dardanës, Qendron Kastrati njoftoi se sot është takuar me znj. Sevi Hasani Basha e cila nuk ishte pranuar në Universitetin e Prishtinës, por më pas ishte Universitetin e Westminster ne Londër.
“Nuk pranohet në Universitetin e Prishtinës, por Universiteti i Westminster në Londër e pranon Sevin, e cila ka shprehur gatishmëri të kontribuoj në Kamenicë si eksperte e financave në trajnimin e punëtorëve. Pata kënaqësi të takoj Sevi Hasani - Basha, e cila më mahniti me historinë dhe këmbngulësinë e saj. Ajo është nga Ferizaji, por e martuar me Ermir Basha nga Hodonoci i Kamenicës, i cili është në proces të hapjes së një fabrike për përpunimin e drurit në Kosovë”, shkroi Kastrati në Facebook.
Ai tregoi se pasi që Sevi nuk është pranuar në Universitetin e Prishtinës, aplikoi në Universitetin e Westminster në Londër, Fakulteti Eknomik, drejtimi Ekonomi Biznesi, ku edhe ishte pranuar.
“Të qenurit studente e dalluar, i mundësoi asaj edhe fitimin e bursave që mundësoi shkollimin e saj. Ajo nuk u ndal me kaq. Transferohet në Zvicër, si menaxhere e një grupi të caktuar të punëtorëve, që merren kryesisht me letrat me vlerë në Bursën e Zvicrës. Me gjithë eksperiencën e saj, ajo do të bashkëpunoj me ne qoftë me videokonferenca ose takime fizike me zyrtarët tanë”, tregon Kastrati.
Ai theksoi se njerëz të tillë na duhen çdo ditë e më shumë afër, sepse Dardana është e të gjithëve dhe kontributi i gjithsecilit vetëm çka i shton vlerë edhe më shumë rrugëtimit tonë për zhvillim.
“Falënderoj Arafat Bashën që ishte i pranishëm në këtë takim tejet frymëzues!”, përfundoi Kastrati.