(E plotësuar 13:04) -Kryeministri Kurti diskutoi me kryetarët e komunave zbatimin e masave për parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID 19
Pas takimit me Komitetin për koordinimin dhe vlerësimin e situatës me pandeminë COVID-19, kryeministri Albin Kurti, bashkë me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia dhe ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, mbajti takim me kryetarët e komunave të Kosovës, për të diskutuar rëndësinë dhe angazhimin e gjithmbarshëm në përballje me pandeminë.
Siç bëhet e ditur në kumtesën qeveritare, Kurti tha se masat kundër virusit COVID-19, të ndërmarra së fundmi nga qeveria janë të domosdoshme, por për të qenë të mjaftueshme në arritjen e qëllimit, ato duhet të zbatohen në përpikëri.
Karakteristikat specifike të variantit Delta e bëjnë atë të fortë, të rrezikshëm dhe të paparashikueshëm, tha kryeministri Kurti.
Ai theksoi se varianti Delta karakterizohet me një numër riprodhues jashtëzakonisht të lartë, sipas së cilit çdo person i infektuar me këtë variant, infekton mesatarisht shtatë persona të tjerë, ka interval serial jashtëzakonisht të shkurtër me ç’rast çdo person i infektuar mund të infektojë të tjerët mesatarisht 2.5 ditë pasi që është infektuar vetë dhe përhapet kryesisht nëpërmjet ngjarjeve super-shpërndarëse.
“Nevojitet bashkëpunim i ngushtë ndërmjet Qeverisë dhe komunave, sidomos në mes të Policisë, inspektorëve komunalë dhe inspektorëve të AUV-it”, tha kryeministri Kurti.
Derisa mjekët dhe infermierët shërojnë pasojat e virusit, parandalimi i tyre mbetet përgjegjësi e mekanizmave mbikëqyrës të zbatimit të masave kundër virusit, tha kryeministri.
Ai theksoi se përveç Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrisë së Shëndetësisë, të gjitha dikasteret e qeverisë janë në shërbim dhe funksion të këtij bashkëpunimi.
Në takim ishin të pranishëm kryetarët e 12 komunave të Kosovës, të cilët njoftuan për vështirësitë teknike që kanë në komunat e tyre në përballje me pandeminë.
Kryeministri Kurti tha se së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia do të jetë në komunikim të vazhdueshëm edhe me komunat e tjera që nuk ishin të pranishëm në takim.
***
Komiteti për koordinimin dhe vlerësimin e situatës me pandeminë COVID-19 ka mbajtur mbledhjen e parë.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti në hapje të mbledhjes ka folur për rrezikun nga varianti Delta dhe për shkak të karakteristikave të tij specifike, ai i paraqiti disa kërkesa të posaçme për Komitetin.
Kryeministri tha se çdo person i infektuar me këtë variant, infekton mesatarisht shtatë persona të tjerë. Për këtë arsye, ai kërkoi nga anëtarët e Komitetit të jenë sa më të rreptë në kontrollimin e respektimit të masave, si dhe në ndëshkimin e shkelësve të tyre.
Sikurse variantet e tjera të virusit, edhe varianti Delta përhapet kryesisht përmes ngjarjeve super-përhapëse. Kryeministri udhëzoi anëtarët e Komitetit që në zbatimin e masave të reja të përqendrohen kryesisht në vendet dhe ambientet ku këto ngjarje super-përhapëse kanë më shumë gjasë të ndodhin, siç janë: restorantet, baret dhe lokalet, palestrat dhe fitneset, transporti publik, sidomos transporti ndërurban, me udhëtarë pa maskë, qendrat tregtare me klientë pa maskë, mbajtja e dasmave, ahengjeve dhe ceremonive mortore në kundërshtim me masat e Qeverisë.
“Në mënyrë që zbatimi i masave të jetë sa më i përpiktë, kërkoj nga ju të shfrytëzoni të gjitha resurset të inspektimit që keni në dispozicion, duke përfshirë inspektorët e AUV-it, inspektorët e MINT-it (sidomos inspektorët e tregut), inspektorët komunalë dhe Policinë e Kosovës”, u tha kryeministri anëtarëve të Komitetit.
Kryesuesi i Komitetit, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se rezultati i analizave të datës 16 gusht nga Instituti “Robert Coch” në Gjermani dërguar IKSHP-së për mostrat e marra tregoi se në Kosovë dominon varianti Delta dhe shpërndarja e shpejtë e tij bëri që brenda një periudhe shumë të shkurtë numri i të infektuarve të 20 fishohet.
Ministri Vitia informoi për gjendjen aktuale në spitale dhe ecurinë e procesit të vaksinimit. “Ne jemi koshient se vetëm vaksina e ndalë përsëritjen e një vale të re, edhe pas kësaj vale. Por deri në vaksinimin e qytetarëve në masën e formimit të një imuniteti kolektiv, ne përkundër sfidave ekonomike që mund ti kemi, shëndeti publik i qytetarëve duhet dhe do të jetë prioriteti kryesor”, tha ministri Vitia.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla njoftoi se Policia e Kosovës është mobilizuar në mbikëqyrjen e zbatimit të masave dhe nga sot edhe Inspektorati Policor të Kosovës, i cili do të mbikëqyrë përmbushjen e detyrimeve të Policisë, nëpërmjet monitorimit të pjesëtarëve të Policisë në raport me masat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës.
“Tashmë çdo zyrtari policor ka filluar t’i shpërndahet kopja e ligjit për covid dhe vendimi i fundit i Qeverisë në mënyrë që secili prej tyre të jenë të informuar mbi këtë ligj dhe këtë vendim. Po ashtu ka nisur zbatimi i vendimit për zgjatjen e orarit të punës për zyrtarë policorë nga 8 në 12 orë”, tha ministri Sveçla.
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, kërkoi bashkëpunim më të mirë ndërmjet inspektorëve të AUV, tregut dhe inspektorateve komunale.
Komiteti për koordinimin dhe vlerësimin e situatës me pandeminë COVID-19 është themeluar dje, me datë 30 gusht 2021, me vendim të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Komiteti përbëhet nga 27 anëtarë që janë përfaqësues të institucioneve dhe organeve të ndryshme shtetërore e qeveritare dhe kryesohet nga Ministri i Shëndetësisë, z. Arben Vitia.
Fjala e plotë e kryeministrit Albin Kurti në mbledhjen e parë të Komitetit:
Pardje kanë hyrë në fuqi masat e reja për parandalimin dhe luftimin e virusit Corona. Këto masa janë të domosdoshme për ta vënë nën kontroll situatën epidemiologjike në vend. Megjithatë, për të qenë edhe të mjaftueshme për ta arritur këtë qëllim, nuk mund të mbesin këto masa vetëm në letër. Në mënyrë që të jenë efikase, duhet edhe të zbatohen me përpikëri. Kjo varet jo prej meje, por prej jush: Sa të suksesshme do të jenë këto masa, e kanë në dorë anëtarët e këtij Komiteti dhe institucionet të cilat ju i udhëhiqni.
Në variantin Delta, kemi një armik të fortë, të rrezikshëm dhe të paparashikueshëm. Për shkak të disa karakteristikave specifike të këtij varianti, kam disa kërkesa të posaçme për këtë Komitet.
Së pari, varianti Delta karakterizohet nga një numër riprodhues jashtëzakonisht i lartë: Çdo person i infektuar me këtë variant, infekton mesatarisht shtatë persona të tjerë. Prandaj, nuk kemi hapësirë për të gabuar në zbatimin e masave të reja. Nuk kemi hapësirë as për tolerim, as për mirëkuptim ndaj shkelësve të tyre. Për këtë arsye, kërkoj nga anëtarët e këtij Komisioni të jenë sa më të rreptë në kontrollimin e respektimit të masave, si dhe në ndëshkimin e shkelësve të tyre.
Së dyti, varianti Delta ka një interval serial jashtëzakonisht të shkurtër: Çdo person i infektuar, personat e tjerë i infekton vetëm 2.5 ditë (mesatarisht) pasi është infektuar vetë. Vetëm 2.5 ditë! Kjo do të thotë se varianti Delta përhapet si zjarr: Çdo 2.5 ditë, shumëfishohet numri i të infektuarve. Për 5 ditë, nga një person mund të infektohen deri në 56 të tjerë. Prandaj, kërkoj prej jush që të mos humbisni asnjë moment. Çdo ditë, çdo orë, çdo minutë vonesë, kushton me jetë njerëzish. Nuk kemi kohë për të humbur në zbatimin e këtyre masave.
Së treti, varianti Delta, njësoj si variantet e mëposhtme, përhapet kryesisht përmes ngjarjeve super-përhapëse: vetëm 20% të të infektuarve shkaktojnë 80% të infektimeve. Kjo do të thotë se, në zbatimin e masave të reja, ju duhet të përqendroheni kryesisht në vendet dhe ambientet ku këto ngjarje super-përhapëse kanë më shumë gjasë të ndodhin, siç janë:
- Restorantet, baret dhe lokalet që, në kundërshtim me masat, shfrytëzojnë më shumë se 70% të hapësirës, që nuk respektojnë distancë mes tavolinave apo ku pjesa e tyre “e hapur” është në të vërtetë e mbyllur;
- Palestrat dhe fitneset që lejojnë hyrjen e klientëve pa dëshmi të vaksinimit, test negativ apo test serologjik sipas vendimit të Qeverisë;
- Transporti publik, sidomos transporti ndërurban, me udhëtarë pa maskë;
- Qendrat tregtare me klientë pa maskë;
- Mbajtja e dasmave, ahengjeve dhe ceremonive mortore në kundërshtim
me masat e Qeverisë.
Për më tepër, në mënyrë që zbatimi i masave të jetë sa më i përpiktë, kërkoj nga ju të shfrytëzoni të gjitha resurset e inspektimit që keni në dispozicion, duke përfshirë inspektorët e AUV-it, inspektorët e MINT-it (sidomos inspektorët e tregut), inspektorët komunalë dhe Policinë e Kosovës. Kërkoj që të koordinoheni, të hartoni një plan të qartë të veprimit për ndarjen e punës së inspektimit mes jush, duke shfrytëzuar të gjitha hallkat e mundshme nëpër institucionet tuaja.
Së fundmi, kërkoj prej këtij Komisioni një raport ditor për veprimet e ndërmarra për zbatimin e masave, për çdo ditë deri më 13 shtator.
Ju faleminderit.
***
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të pres sot në takim kryetarët e komunave.
Qëllimi i takimit mësohet të jetë situata e krijuar nga pandemia me COVID-19. Në këtë takim të thirrur nga Kurti e që do të mbahet në ambientet e Qeverisë së Kosovës do të marrë pjesë edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.
Ditët e fundit numri vdekjeve dhe rasteve pozitive me COVID-19 kanë shënuar rritje.
Qeveria e Republikës së Kosovës të hënën ka mbajtur mbledhjen elektronike në të cilën ka miratuar vendimin për themelimin e Komitetit për koordinimin dhe vlerësimin e situatës me pandeminë COVID-19 në vend. Ky vendim vjen një ditë pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, që u mblodh për shkak të numrit të lartë të rasteve dhe vdekjeve nga COVID-19.
Vetëm gjatë së hënës Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar për 20 vdekje dhe 932 raste të reja pozitive me koronavirus.
Ndërkohë që numri total i rasteve aktive është 26 mijë e 525 raste.
Shkak i rritjes së këtyre rasteve tashmë shumë nga klinikat në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) janë kthyer në qendra për trajtimin e personave të infektuar me virusin korona.
Nga sot edhe në ambulancat specialistike do të trajtohen pacientët me COVID-19.
Me 30 gusht ( të hënën) hyrën në fuqi masat e reja të Qeverisë.
Në këto masa përfshihet kufizimi i lëvizjes së qytetarëve, kufizimi i punës së gastronomisë, shtyrja e fillimit të procesit mësimor deri më 13 shtator dhe masa tjera të cilat mund ti gjeni më poshtë.
Më poshtë po iu sjellim të gjitha masat e miratuara dje nga kabineti qeveritar.
A. [Zbatimi territorial]
1. Ky vendim zbatohet në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
B. [Hyrjet dhe daljet e qytetarëve në dhe nga Republika e Kosovës]
2. Nga data 30 gusht deri me datë 13 shtator 2021, çdo person i cili hyn në Republikën e Kosovës, duhet të posedoj një nga dëshmitë e mëposhtme:
2.1 Certifikatën e vaksinimit për vaksinimin e plotë ose marrjen e një dozë të vaksinës kundër COVID-19;
2.2 Testi RT-PCR negativ për COVID-19, jo më i vjetër se 72 orë;
2.3 Dëshmi se personi ka kaluar COVID-19 (test RT-PCR pozitiv i lëshuar jo më pak se 21 ditë dhe jo më shumë se 180 ditë ose rezultat pozitiv i testit të antitrupave serologjik –IgG, i lëshuar më së shumti para 30 ditëve;
2.4 Test i shpejtë antigjen negativ jo më i vjetër se 48 orë.
3. Shtetasit e Republikës së Kosovës, si dhe personat me leje qëndrimi të përkohshëm ose të përhershëm në Kosovës, të cilët hyjnë në Republikën e Kosovës, në rast se nuk posedojnë një nga dëshmitë sipas pikës 2.1 deri 2.4, duhet të vetë-izolohen për 7 ditë. Këta persona duhet të plotësojnë deklaratën nën betim për vetë-izolim në pikën kufitare përkatëse.
4. Nga kërkesa për të poseduar ndonjërën nga dëshmitë sipas pikës 2.1 deri 2.4 , lirohen:
4.1 Personat të cilët hyjnë në Kosovë përmes aeroportit apo përmes pikave kufitare tokësore dhe largohen nga Kosova brenda tre (3) orësh përmes aeroportit ose pikave kufitare tokësore, me kusht që në hyrje të nënshkruaj deklaratën se do ta lëshojë Kosovën brenda tre (3) orësh;
4.2 Personat, të cilët punojnë si transportues profesionist (vozitës), me kusht që të respektojnë protokollin për transport ndërkombëtarë për mbrojtje nga COVID[1]19;
4.3 Shtetasit e Republikës së Kosovës që kanë dalë jashtë Kosovës në 12 orët e fundit;
4.4 Qytetarët e huaj, të cilët kalojnë nëpër Kosovë përmes transportit të organizuar me autobus ose me linjë të rregullt ndërkombëtare, transit, me kusht që të nënshkruhet deklarata se do ta lëshojnë territorin e Kosovës brenda pesë (5) orësh;
4.5 Diplomatët e huaj, të akredituar në Kosovë;
4.6 Personat nën moshën tetëmbëdhjetë (18) vjeçare.
C. [Mbrojtja dhe siguria në punë]
5. Nga data 30 gusht deri me datë 12 shtator 2021, në institucionet publike dhe private, obligohet që të paraqitet në punë vetëm stafi esencial, ndërsa stafi jo esencial udhëzohet të punojë nga shtëpia. Për qëllime të këtij vendimi, staf esencial konsiderohen punëtorët prania fizike e të cilëve në vendin e punës është e domosdoshme për kryerjen e detyrave të punës.
6. Punëdhënësit publik dhe privat obligohen që në bashkëpunim me punëtorët të përcaktojnë stafin esencial.
7. Punëdhënësit publik dhe privat udhëzohen të krijojnë kushtet për kryerjen e detyrave të punës nga shtëpia për punëtorët që nuk janë staf esencial për nevojat e punëdhënësit, kur kjo të jetë e mundur.
8. Nga data 13 shtator 2021, të gjithë punonjësit e institucioneve publike, si dhe personeli i ndërmarrjeve publike në pronësi të Qeverisë apo të një komune, duhet të posedojnë një nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 deri 2.4, në mënyrë që t’ju lejohet hyrja në ambientet e punës.
9. Nëpunësi më i lartë administrativ i çdo institucioni publik është i obliguar të caktojë një person përgjegjës, i cili do të kontrollojë posedimin e ndonjërës nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 deri 2.4.
10. Gratë shtatzëna, lirohen nga obligimi për t’u paraqitur fizikisht në punë.
Ç. [Masat e përgjithshme të mbrojtjes dhe higjienës]
11. Obligohen institucionet publike e private, si dhe subjektet tjera, të mbajnë dezinfektues për duar dhe një sasi të maskave në vende të qasshme në hyrje të objektit si dhe në ambientet e brendshme.
12. Obligohen institucionet publike e private, si dhe subjektet tjera që në hyrje të çdo objekti të vendosin shenja të dukshme të rregullave të sjelljes për mbrojtje nga COVID-19, përfshirë shenjën e ndalimit të hyrjes në objekt pa maska, respektimin e distancës.
13. Obligohen përgjegjësit e institucioneve publike e private dhe subjektet e tjera që të kryejnë dezinfektimin dhe ajrosjen e hapësirave të mbyllura.
14. Bartja e maskës duke mbuluar hundën dhe gojën është obligative në të gjitha rastet, përveç:
14.1 Gjatë ngasjes së automjetit vetëm, apo kur në automjet janë prezentë ekskluzivisht anëtarët e ngushtë të familjes;
14.2 Gjatë vrapit, çiklimit dhe ushtrimeve fizike;
14.3 Gjatë ngrënies apo pijes.
15. Ndalohet hyrja në ambientet e mbyllura pa maskë.
16. Obligohen të gjitha institucionet publike dhe private që të përcaktojnë një punonjës të monitorojë zbatimin e masës të përcaktuar në pikën 15.
D. [Kufizimi i qarkullimit]
17. Nga data 30 gusht deri me datë 13 shtator 2021, kufizohet qarkullimi i qytetarëve nga ora 22:00 deri në ora 05:00, përveç:
17.1 Rasteve të natyrës urgjente (për të kërkuar ndihmë mjekësore, blerje të barnave, për të ofruar kujdes ose ndihmë mjekësore, për të shmangur dëmtimin ose për t’i shpëtuar një rreziku lëndimi);
17.2 Qarkullimit për personelin shëndetësor, të sigurisë dhe operatorët që kryejnë punë apo shërbime publike;
17.3 Personelin e ndërrimit të natës të operatorëve ekonomikë që sigurojnë funksionimin e zinxhirit të furnizimit (përfshirë transportin e mallrave/shërbimeve), por me kusht që të pajisen me leje të veçantë nga sistemi EDI i Administratës Tatimore të Kosovës.
17.4 Personave ndaj të cilët aplikohet leja e veçantë e përkohëshme sipas pikës 19, për shkak të ngjarjes së rëndësisë së veçantë.
18. Obligohen punëdhënësit të sigurojnë që punëtorët e tyre që i nënshtrohen kufizimit nga pika 17 të kenë kohë të mjaftueshme për të udhëtuar në banesat e tyre.
19. Ministri i Shëndetësisë mundet që për për ngjarje të rëndësisë së veçantë, të lëshojë lejë të veçantë, sipas së cilës lejohet vetëm për nevoja të kësaj ngjarje, që kufizimi i qarkullimit të zgjatet përkohësisht për një kategori të caktuar të personave.
Dh. [Institucionet e arsimit]
20. Aktiviteti mësimor në institucionet publike dhe private të arsimit parauniversitar pezullohet deri me datë 13 shtator 2021.
21. Përjashtimisht nga pika 20, institucionet e arsimit parashkollor dhe të qëndrimit ditor vazhdojnë aktivitetin sipas udhëzuesit përkatës.
22. Nga data 13 shtator 2021, stafi në të gjitha institucionet publike dhe private të të gjitha niveleve të arsimit duhet të posedojnë ndonjërën nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 deri 2.4.
23. Nëpunësi më i lartë i çdo institucioni arsimor sipas pikës 21, është i obliguar të caktojë një person përgjegjës i cili do të kontrollojë posedimin e ndonjërës nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 deri 2.4.
24. Të gjitha institucioneve publike dhe private të të gjitha niveleve të arsimit, iu ndalohet organizimi i aktiviteteve jashtë mësimore, siç janë ekskursionet, shëtitjet grupore, ahengjet e ndryshme të stafit mësimor apo të nxënësve – studentëve.
E. [Paraqitja për skemat sociale dhe pensionale]
25. Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve udhëzohet të lirojë të gjithë përfituesit e skemave sociale dhe pensionale që menaxhohen nga MFPT-ja nga paraqitja e rregullt në zyrat përkatëse për qëllime të evidentimit, siç kërkohet me ligjet përkatëse..
F. [Kufizimi i mbledhjeve publike dhe private]
26. Lejohen grumbullimet në ambiente të mbyllura deri në tridhjetë (30) persona (punëtori, mbledhje, seminare, trajnime, ngjarje kulturore). Organizatori obligohet të siguroj distancën fizike prej 1.5 metër në mes të personave.
26.1 Mbledhjet e Kuvendit dhe të Qeverisë lejohen pavarësisht numrit të personave, duke u respektuar mbajtja e maskave dhe distanca sociale.
27. Lejohen grumbullimet dhe ngjarjet kulturore në ambiente të jashtme deri në pesëdhjetë (50) persona (publiku). Organizatori obligohet të sigurojë mbajtjen e distancës fizike prej 1.5 metër në mes të personave.
28. Pavarësisht pikës 26 dhe 27, për koncerte dhe festivale vlen pika 31.
29. Mbajtja e pritjes për ngushëllim/kryeshëndoshë ndalohet.
30. Lejohen funeralet vetëm me pjesëmarrje të familjes së ngushtë, duke siguruar që pjesëmarrësit të mbajnë distancë fizike prej 1.5 metër nga njëri-tjetri.
G. [Ndalimi i veprimtarive dhe organizimeve të caktuara]
31. Pavarësisht numrit të personave, ndalohet veprimtaria e klubeve të natës si dhe organizimi i festivaleve, koncerteve, eskurzioneve, peligrinazheve, dasmave, fejesave, ahengjeve familjare dhe shoqërore, në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
Gj. [Gastronomia]
32. Shërbimet e gastronomisë lejohen të zhvillojnë aktivitetin e tyre në përputhje me udhëzuesin përkatës.
33. Ndalohet shërbimet në gastronomi në hapësirat e mbyllura. Qëndrimi i klientëve (shërbimi i ushqimit dhe pijeve) lejohet vetëm në hapësirat e hapura të lokaleve të gastronomisë. Lejohet shfrytëzimi i jo më shumë se 70 % e kapacitetit të hapësirës së hapur. Sipërfaqja llogaritet për zonën ku shërbehet ushqimi dhe pijet.
34. Kuptimi i shprehjes ‘hapësirë e hapur’ dhe ‘hapësirë e mbyllur’ ka të njëjtin kuptim me Ligjin Nr. 04/L-156 për Kontrollin e Duhanit.
35. Klientët duhet të qëndrojnë ulur në çdo kohë në kuadër të lokalave të shërbimeve të gastronomisë në të cilën lejohet shërbimi i ushqimit apo pijeve, përveç:
35.1 Gjatë hyrjes apo daljes nga ambienti i lokalit:
35.2 Ndërsa paguan porosinë;
35.3 Gjatë shkuarjes apo kthimit nga tualeti;
35.4 Kur është e nevojshme për qëllime të shëndetit dhe sigurisë.
36. Në rastet nga pika 35.1 deri 35.4 është e obliguar bartja e maskës duke mbuluar hundën dhe gojën.
37. Shërbimet e gastronomisë lejohet të zhvillojnë aktivitetin e tyre nga ora 05:00 deri në orën 21:30.
38. Muzika lejohet vetëm deri në orën 21:00.
39. Përgjegjësit e lokaleve duhet të sigurohen që distanca ndërmjet klientëve në tavolina të ndryshme të jetë së paku një (1) metër.
40. Pjesa e prapme e një karrigeje, me pjesën e prapme të karriges tjetër duhet jenë në distancë së paku një (1) metërshe.
41. Çdo tavolinë duhet të jetë e pajisur me dezinfektues që përmbajnë së paku 60% alkool.
42. Shërbimi “dërgesë me porosi” lejohet të funksionojë edhe pas orës 22:00, pas pajisjes me leje të veçantë nga sistemi EDI (ATK).
H. [Qendrat tregtare dhe operatorët e tjerë ekonomikë]
43. Lejohet veprimtaria e qendrave tregtare sipas udhëzuesit përkatës.
44. Obligohen të gjithë operatorët, të cilët për veprimtari ekonomike e kanë tregtinë me shumicë dhe pakicë, që të përcaktojnë numrin maksimal të klientëve në lokal në të njëjtën kohë sipas rregullit – 1 person për 8 m2. Këta operatorë obligohen të shënojnë në hyrje numrin maksimal të klientëve të lejuar në të njëjtën kohë. Sipërfaqja llogaritet për zonën ku lejohen të qëndrojnë klientët.
45. Në kuadër të qendrave tregtare dhe operatorëve të tjerë ekonomikë, ndalohet puna/përdorimi i këndeve të lojrave për fëmijë. Ndërsa për shërbimet e gastronomisë në kuadër të qendrave tregtare vlen pika 33.
I. [Puna me palë]
46. Personi përgjegjës i institucionit publik apo privat dhe i operatoreve ekonomikë, obligohet që të ndalojë rreshtimin apo tubimin brenda dhe jashtë ambientit të punës/biznesit, përveç nëse mbahet distancë fizike prej të paktën 1.5 metra nga grupet e tjera të personave.
J. [Transporti publik]
47. Ndalohet hyrja në mjetet e transportit publik pa maskë.
48. Operatorët e transportit rrugor të udhëtareve lejohen të punojnë duke shfrytëzuar 50% të kapacitetit të ulëseve.
49. Në taksi lejohen të udhëtojnë deri në dy (2) udhëtarë.
K. [Teatrot, bibliotekat, etj.]
50. Bibliotekat, kinematë, qendrat rinore, muzetë, qendrat e kulturës me grupe apo institucionet tjera të ngjashme vartëse të MKRS-së apo të Komunave, pezullojnë aktivitetin e tyre deri me datë 13 shtator 2021.
51. Teatrot, orkestrat, ansamblet, baleti lejohet të organizojnë shfaqje online (pa prezencë të publikut) si dhe të mbajnë ushtrimet.
L. [Sporti dhe rekreacioni]
52. Lejohen organizimi i garave sportive dhe stërvitjeve përkitazi me protokollet dhe rekomandimet e organizatave botërore për organizimin e ngjarjeve sportive dhe me masat mbrojtëse të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
53. Numri i pjesëmarrësve në garë (sportistë, klube, zyrtarë, dhe pjesëmarrës tjerë të nevojshëm për zhvillimin e garës) përcaktohet nga federatat sportive duke respektuar masën e distancës dhe masat tjera mbrojtëse.
54. Në aktivitetet garuese në hapësira të mbyllura nuk lejohet prania e shikuesve.
55. Në aktivitetet garuese në hapësira të jashtme lejohet prania e shikuesve deri në 10 % të kapacitetit të objektit apo hapësirës sportive (stadium, salla sportive, pishina, hapësira të tjera të mbyllura) duke respektuar masën e distancës prej 1.5 metra dhe masat tjera mbrojtëse.
56. Shikuesit në aktivitetet garuese në hapësira të jashtme, duhet të posedojnë një nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 deri 2.4.
57. Organizatorët e garës janë të obliguar caktojnë persona përgjegjës për kontrollimin e posedimit të ndonjërës nga dëshmitë sipas pikës 2.1 deri 2.4, si dhe të ndërmarrin masat specifike, në përputhshmëri me protokollet ndërkombëtare, për menaxhimin e masës (tifozëve) para, gjatë dhe pas hyrjes në hapësirën sportive.
58. Lejohet shfrytëzimi i fitneseve, palestrave dhe të ngjashme për aktivitete individuale rekreative. Klientët duhet të posedojnë ndonjërën nga dëshmitë e përcaktuara në pikën 2.1 deri 2.4 të këtij Vendimi.
59. Çdo fitnes, palestër dhe i ngjashëm është i obliguar të caktojë të paktën një punonjës i cili do të kontrollojë posedimin e ndonjërës nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 deri 2.4.
60. Shfrytëzimi i fitneseve, palestrave dhe të ngjashme, bëhet në proporcion 1 klient në 10 m2.
61. Obligohet vendosja e shenjave informuese dhe dezinfektuesve (apo mjeteve të tjera për pastrimit) në secilën pajisje të fitnesit me qëllimit të vetëdijësimit dhe dezinfektimit të tyre nga secili klient pas përdorimit.
Ll. [Udhëzuesit dhe sqarimet]
62. Obligohet Ministria e Shëndetësisë që të nxjerrë udhëzuesit e përkohshëm, të përgjithshëm dhe të veçantë për parandalimin dhe luftimin e COVID-19, si në vijim:
62.1. Udhëzues i Përkohshëm për aplikimin e masave të përgjithshme për parandalimin dhe luftimin e COVID-19;
62.2. Udhëzues i Përkohshëm për sektorin e shërbimeve personale dhe bizneseve, industrisë, administratës publike dhe OJQ-ve;
62.3. Udhëzues i Përkohshëm për institucionet arsimore të të gjitha niveleve;
62.4. Udhëzues i Përkohshëm për gastronomi, hoteleri, sektorin e shitjes dhe qendra tregtare;
62.5. Udhëzues i Përkohshëm për tubimet fetare, varrime, punëtori dhe aktivitete kulturore,
62.6. Udhëzues i Përkohshëm për fitnese, palestra dhe aktivitete tjera rekreative dhe sportive;
62.7. Udhëzues i Përkohshëm për transportin publik;
62.8. Udhëzues i Përkohshëm për institucionet e kujdesit shëndetësor;
62.9. Udhëzues i Përkohshëm për aviacionin civil;
62.10. Udhëzues i Përkohshëm për institucionet korrektuese, qendra të azilit dhe të mbajtjes për të huaj;
63. Udhëzuesit nga pika 62 janë të detyrueshëm për të gjithë personat dhe sektorët ndaj të cilëve zbatohen.
64. Obligohet Ministria e Shëndetësisë që në rast nevoje të nxjerr sqarime për pikat e këtij vendimi.
M. [Zbatimi]
65. Obligohet Ministri i Shëndetësisë, AUV dhe Policia e Kosovës, që në bashkëpunim me shtabet emergjente komunave, të mbikëqyrë zbatimin e këtij vendimi dhe të dorëzojnë në Zyrën e Kryeministrit raport javor (çdo të premte deri në orën l6:00).
66. Obligohet Ministria e Shëndetësisë, ShSKUK dhe IKShPK të dorëzojnë në Zyrën e Kryeministrit raportin javor (çdo të premte deri në orën 16:00) për zbatimin e masave, gjendjen në institucionet shëndetësore, gjendjen epidemiologjike si dhe parashikimet për dy javët në vijim.
67. Obligohet Ministria e Shëndetësisë që, bazuar në Ligjin Nr. 07/L-006 për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19, në territorin e Republikës së Kosovës të nxjerrë vendime operacionale varësisht prej situatës epidemiologjike dhe rekomandimeve të IKShPK-së.
68. Obligohet Policia e Kosovës dhe inspektoratet përgjegjëse të mbikëqyrin zbatimin e masave, vendimeve të tjera dhe udhëzuesve përkatës në zbatim të Ligjit Nr. 07/L-006 për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë në territorin e Republikës së Kosovës.
69. Për shkelësit e masave, organet kompetente obligohen të shqiptojnë masat ndëshkimore sipas Ligjit Nr. 07/L-006 për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës dhe ligjeve të tjera në fuqi.
70. I vetmi autoritet që mund të interpretojë këtë vendim është Ministria e Shëndetësisë, ndërkaq çdo institucion tjetër mund të ofrojë sqarime për kategoritë respektive për të cilat aplikohet ky vendim, vetëm pas miratimit të atij sqarimi nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë.
N. [Shfuqizimi i vendimit Nr. 01/27]
71. Shfuqizohet Vendimi i Qeverisë Nr. 01/27 i datës 18.08.2021.
Nj. [Hyrja në fuqi]
72. Vendimi hyn në fuqi me datë 29.08.2021 dhe publikohet në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.