Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në një konferencë për media është pyetur dhe ka folur pak për fushatën që do ta bëjë në garën për kryetar të Prishtinës. Vitia tha se ende nuk po merret me fushatë dhe se është i koncentruar vetëm në luftimin e pandemisë.
Vitia tha se është i njëjti siç ka qenë në Qeverinë Kurti 1 dhe më herët gjatë punës së tij në Komunën e Prishtinës si drejtor i Drejtorisë së Shëndetësisë.
“Jam i njëjti Arben Vitia. Unë s’kam folur dhe as s’kam postuar as edhe një herë për garën time për kryetar të kryeqytetit. Në asnjë sekondë unë s’kam bërë asnjëherë fushatë, siç jeni edhe ju dëshmitarë. I gjithë koncentrimi im është vetëm Ministria e Shëndetësisë dhe luftimi i pandemisë”, tha Vitia.
Ai deklaroi se Kosova po përballet me variantin e ri Delta të koronavirusit, i cili tha se është jashtëzakonisht i rrezikshëm. Ministri tha se kjo do të jetë hera e fundit që flet për fushatën zgjedhore deri kur kryeministri Albin Kurti ta emërojë dikë tjetër në pozitën e ministrit të Shëndetësisë.
“Ne po përballemi me një variant jashtëzakonisht të rrezikshëm siç është varianti Delta, prandaj jam i fokusuar 100% në këtë temë dhe kjo në fakt është hera e parë që po e zgjas kaq shumë, por do të jetë edhe hera e fundit që flas për garën zgjedhore, natyrisht, derisa kryeministri do të vendos të më zëvendësoj”, u shpreh Vitia.