Hysni Gucati e Nasim Haradinaj nuk marrin pjesë në seancë përgatitore

Aktuale

Hysni Gucati e Nasim Haradinaj nuk marrin pjesë në seancë përgatitore

Më: 1 shtator 2021 Në ora: 12:03
Hysni Gucati e Nasim Haradinaj

(E plotësuar 12:53) - Dy ish-krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, nuk po marrin pjesë në seancën e parë përgatitore që po mbahet sot.Kryetari i trupit gjykues, Charles L Smith III, ka bërë të ditur se dy të lartpërmendurit kanë hequr dorë nga të qenit të pranishëm.

Konferenca përgatitore për gjykimin është e rregulluar me rregullën 117 të Rregullores së Procedurës dhe Provave të Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Hysni Gucati, së bashku me Nasim Haradinajn, po akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Akuzat e paraqitura në aktakuzën e konfirmuar mbështeten në dyshimin e bazuar mirë se së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, z. Gucati dhe z. Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara.

Gucati dhe Haradinaj ngarkohen se kanë bërë komente nënçmuese kundër dëshmitarëve të mundshëm dhe në mënyrë të përsëritur shprehen synimin e tyre për të dëmtuar punën e Dhomave të Specializuara.

“Me këto veprime, Gucati dhe Haradinaj shkelën fshehtësinë e procedurës dhe frikësuan dëshmitarë (të mundshëm) të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe si pasojë penguan punën dhe hetimet e ZPS-së.”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës.

***

Seanca e radhës paragjyqësore, ndaj krerëve të organizatës së Vetëranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj, është duke vazhduar në Gjykatën Speciale në Hagë.

Fillimisht është diskutuar çështja e pjesëmarrjes së dëshmitarëve të zgjedhur nga Prokuroria e Specializuar në procesin gjyqësor.

Lidhur me këtë, mbrojtja e Gucatit dhe Haradinajt, ka kërkuar që prokuroria, t’i publikojë emrat e dëshmitarëve që ka zgjedhur për t’i dëgjuar, derisa prokuroria përmes një parashtrese, është shprehur se nxjerrja e emrave të tyre, do mund t’i rrezikonte.

Prandaj për këtë çështje, gjykatësi e pyeti prokurorin nëse i kanë njoftuar dëshmitarët se nuk do të aplikoheshin masa mbrojtëse për ta.

”Kur flisni për mundësinë e thirrjes së këtyre dëshmitarëve, besoj që ju i keni informuar ata për arsyen se ata do të thirren si dëshmitarë pa aplikimin e masave mbrojtëse”, tha gjykatësi.

”Dëshmitarët e dinë se ZPS-ja mund të kërkojë masa mbrojtëse”, tha prokurori, në përgjigjje.

Megjithatë, tutje, gjykatësi i kërkoi prokurorit të mos ulej, duke i shtuar edhe disa pyetje në lidhje me dëshmitarët.

”Ju i keni kërkuar këtyre personave që t’i përgatisin deklaratat për procesin gjyqësor”, tha gjykatësi.

”Duke mbrojtur mënyrën e sjelljes së prokurorisë me dëshmitarët, prokurori i Zyrës së Prokurorit të Specializuar tha se ”kjo është mënyra”.

Sipas tij ata duhet të marrin deklarata dhe duhet t’i bëjnë publike ato.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat