Edhe muaji shtator në Kosovë filloi me numër të lartë të personave që po humbin jetën dhe atyre që po infektohen si pasojë e COVID-19.
Autoritetet thanë se 22 vetë kanë humbur jetën në 24 orët e fundit nga pasojat e COVID-19, ndërsa janë konfirmuar 1 mijë e 894 raste të reja të të prekurve nga virusi.
Drejtori i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Valbon Krasniqi thotë për Zërin e Amerikës se kjo valë e re e COVID-19 po përhapet në mënyrë shumë të shpejt dhe si pasojë ka rritë edhe numrin e pacientëve që kërkojnë trajtim. Ai numëron disa nga dallimet ndërmjet kësaj vale të re të përhapjes së CODID-19 me ato të mëparshme.
“Tani kemi numër të konsiderueshëm edhe të moshave të reja që janë të shtrirë nëpër spitale, fatkeqësisht disa prej tyre kanë përfunduar me fatalitet, pra virusi po i prek edhe moshat e reja dhe duket se ka fituar edhe sa i përket fuqisë agresive për të prekur këto mosha dhe për të shkaktuar dëmtime serioze dhe karakteristika e tretë është fakti që kemi pasur një numër të madh të pacientëve për një periudhë të shkurtër kohore dhe mbi 90 për qind e të gjithë të spitalizuarve vazhdimisht kanë qenë në oksigjeno-terapi”, tha ai.
Zoti Krasniqi thotë se nëpër spitalet rajonale të Kosovës gjendja me hapësira për pranimin e pacientëve me COVID-19 është më e rëndë. Ai thotë se muaji gusht ishte më i vështiri deri më tani për Kosovën që nga fillimi i pandemisë në mars të vitit të kaluar.
“Aktualisht ne sot i kemi të shtrirë në shtatë spitale të ndryshme dhe klinikat e Qendrës Klinike dhe Universtiare të Kosovës 1 mijë e 200 pacientë që po marrin trajtim spitalor nga ta 59 i kemi në gjendje kritike që janë duke u trajtuar nëpër reparte të kujdesit inteziv dhe i kemi rreth 1 mijë e 100 pacientë tjerë që janë në oksigjeno-terapi të vazhdueshme".
Në mesin e pacientëve të shtrirë në spitale janë edhe personat e vaksinuar kundër COVID-19.
Sipas të dhënave Shërbimit Spitalor Klinik në spitalet e Kosovës janë të shtrirë 82 persona të vaksinuar me dozën e parë dhe 80 të tjerë me dy doza të vaksinës. Zoti Krasniqi thotë megjithatë personat e vaksinuar po shfaqin shenja më të lehta klinike.
“Gjatë gjithë kohës që kemi vërejtur është ajo që numri i pacientëve të shtruar të pavaksinuar është shumëfish më i madh, diku 85 për qind deri 90 për qind e pacientëve që kanë marr trajtim gjatë këtij muaji në spitalet tona kanë qenë të pavaksinuar ndërkohë që numri i të vaksinuarve të shtrirë në spitale ka qenë i vogël përveç kësaj edhe gjendja e përgjithshme klinike dhe manifestimet e sëmundjes te personat e vaksinuar duket që janë shumë më të lehta edhe në kuptim të gjendjes së përgjithshme por edhe në kuptim të ndryshimeve më të vogla te organet e mushkërive te personat sidomos te ata që janë me dy doza të vaksinës”, tha zoti Krasniqi.
Kosova po përballet me situatë të rëndë shëndetësore për shkak të rritjes së numrit të lartë të të infektuarve nga COVID-19. Vetëm gjatë muajit gusht u regjistruan më shumë se 36 mijë infektime ndërsa 238 veta humbën jetën.
Aktualisht në Kosovë janë më shumë se 27 mijë raste aktive, numër ky që sipas ekspertëve shumë i lartë dhe pritet të ndikojë në rritjen e atyre që do të kërkojnë trajtim spitalor.
Qeveria e Kosovës ka vendosur masa shtrënguese për të parandaluar përhapjen e COVID-19, duke kufizuar lirinë e lëvizjes, shtyerjen e procesit mësimor dhe shkurtimin e orarit të punës për kafet dhe restorantet./VOA